Politikania venezueliane Maria Corina Machado është vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqen për vitin 2025.
Komiteti Norvegjez i Nobelit i dha fund këtë të premte spekulimeve dhe interesit global për një nga çmimet më prestigjioze dhe të paparashikueshme në botë.
Komiteti Norvegjez Nobel e vlerësoi Machado-n për “kurajën e jashtëzakonshme në mbrojtjen paqësore të lirisë politike dhe dinjitetit njerëzor në kushte shtypjeje të rëndë”.
“Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel ka vendosur t’ia japë Çmimin Nobel për Paqen për vitin 2025 Maria Corina Machados. Ajo po e merr Çmimin Nobel për Paqen për punën e saj të palodhur në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për luftën e saj për të arritur një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci”, tha komiteti.
Machado, e njohur si një nga figurat kryesore të opozitës ndaj regjimit të Nicolás Maduro, ka qenë e ndaluar të kandidojë për poste publike, por vazhdoi të udhëheqë lëvizjen demokratike venezueliane dhe të frymëzojë miliona qytetarë në vendin e saj dhe jashtë tij.
Ky çmim shihet si një mesazh i fuqishëm ndërkombëtar për mbështetjen e kauzave demokratike në Amerikën Latine dhe një sinjal kundër autoritarizmit.


