Lajme

Politikani nga veriu flet për zgjedhjet e 21 prillit: Serbët nuk duan dhunë, në të kaluarën ndodhi për shkak të Qeverisë së Kosovës

04/11/2024 12:10
nga:G C

Kryetari i Partisë së serbëve në Kosovë, Aleksandër Jabllanoviq thotë se referendumi i zgjedhjeve të 21 prillit nuk do të ketë sukses.

Jabllanoviq në një prononcim për GazetaBlic thekson se, këtë e pamundëson bojkotimi i Listës Serbe.

“Mendoj se pa një performancë të bashkuar të të gjitha partive serbe, referendumi nuk mund të ketë sukses. Procedura për referendumin është shumë kërkuese dhe e ndërlikuar dhe nuk ka bashkëpunim të palëve serbe për këtë çështje. Vendimi i Listës Serbe për bojkotimin e referendumit gjithashtu e bën të pamundur mbajtjen normale të referendumit, pasi ishte planifikuar që votimi të bëhej në qendrat e njohura të votimit në shkolla, tani nuk e shoh të mundur”, tha Jabllanoviq.

Jabllanoviq thekson se zgjedhjet e reja mund të mbahen vetëm me dorëheqjen e kryetarëve aktual, teksa shton se, edhe nëse dështojnë zgjedhje, nuk ka kriza.

Jabllanoviq për GazetaBlic thotë se, serbët nuk e duan dhunën, por një gjë e tillë, sipas tij, ka ndodhur për shkak të veprimeve të njëanshme të Qeverisë së Kosovës.

“Mendoj se e vetmja mundësi e drejtë është që kryetarët e bashkive dhe këshilltarët të japin dorëheqjen dhe kështu të hapet rruga më e thjeshtë për zgjedhje të reja. Nuk besoj në dhunën e mundshme, qytetarët në veri nuk e duan dhunën dhe asnjëherë nuk kanë qenë të parët që e kanë iniciuar atë, situata të dhunshme kanë ndodhur si rezultat i veprimeve brutale dhe të njëanshme të Qeverisë së Kosovës dhe njësisë speciale të policisë”, tha Jabllanoviq.

Ai thotë se qytetarët e dinë vetë se a duhet të dalin në zgjedhje apo jo, ku sipas tij, Lista Serbe nuk duhet të bëjë thirrje për bojkotim sepse janë vetë ata që e kanë kërkuar referendumin.

“Ne si parti nuk do t’i tërheqim përfaqësuesit tanë nga komisionet komunale zgjedhore dhe këshillat e votimit, ata do të bëjnë punën e tyre teknike në komisione në ditën e referendumit që të mbahet referendumi, qytetarët duhet të vendosin vetë nëse do të dalin në referendum apo jo dhe partitë politike mund të mos marrin pjesë në këtë proces, por nuk duhet të bëjnë thirrje për bojkot të referendumit, veçanërisht jo ata që kërkuan referendum me peticion duke iu referuar kryesisht Listës Serbe”, tha Jaballanoviq.

“Por, e përsëris se pa performancën e unifikuar të partive serbe, referendumi sigurisht që nuk mund të ketë sukses. Nëse ka vullnet politik, mendoj se mund të gjenden zgjidhje të tjera më praktike për zgjedhje të reja”, shton ai për GazetaBlic.