Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku thotë se ka dy dokumente shumë të rëndësishme që i ruan me fanatizëm. Një përshkrim epokal të figurës së Presidentit Ibrahim Rugova dhe një poezi të tij, sa ishte fëmijë, që i ishte publikuar në një revistë të kohës.
Abdixhiku tha se kishte qenë i dhënë shumë pas shkrimit të poezive, por se kishte hequr dorë në kohën e adoleshencës, kur të gjitha shkrimet i kishte mbeldhur e djegur. Shkrimit i ishte kthyer tek pas disa vitesh në formatin e analizave e opinioneve.
“Dy dokumentet që unë i mbaj këtu janë “Memento për Rugovën” që besoj është shkrimi më i mirë i Sabri Hamitit që ka bërë për Rugovën. Është i shkëlqyeshëm, është përshkrimi më i mirë për Rugovën në të gjitha epokat. Dhe “Shkëndija”, botimi i vitit `96, ma sollën dhurata, në të e gjeta një poezi timen, nuk do e lexoj se më vjen marre. Kam shkruar shumë poezi, por dikur me ka humbur apetit për shkrime”.
“Në adoleshencë më humbi apetiti për poezi, i kam mbledh të gjitha i djega. Kam qenë i dhanun pas shkrimi e kam pasur edhe makinën e shkrimit, por kam pas edhe dorëshkrime në një bllok të BSPK-së. Jam rritë mes librave e leximeve, gjatë kohës sa nana punonte në Institutin Albanologjik, ia pash hajrin atyre leximeve. Më pas iu ktheva shkrimit me kolumne. Çdo botim që dilte e kishte obligim edhe Nana edhe unë ta ruanim. Të gjitha shkrimet i kam të arkivuara, një kopje unë një nëna. Por, nuk i kam hapur t’i lexoj edhe një herë”,tha ai.
Abdixhiku në intervistën në Rubikon, ka thënë se politika e ka futur në një dinamikë tjetër të jetës. Sipas tij, me veprimet politike e kishte vërejtur se ka ndikim më të shpejtë në jetën e qytetarëve, sesa vetëm përmes shkrimeve.
“Në politikë e kam vërejtur se mund të bëjë më shumë sesa të flas e të shkruaj. Kjo ka qenë edhe thyrja e parë pozitive. Kur u bëra kryetar i komisionit për buxhet e financa e bërë një amandament specifik për buxhet, e bëra një fond specifik të strehimoreve për zgjidhje konkrete, ndihmova Institutin Atom etj. E pashë se sa shumë mund të bëjmë, shumë më shumë sesa të kërkoja ndryshim vetëm përmes shkrimit”, tha Abdixhiku në këtë intervistë.