Lajme

Policia: Trajnimet me armë janë të avancuara e specializuara

10/20/2024 22:08
nga:G B

Një zyrtar policor plagosi nënën e tij, e një tjetër kolegen në stacionin policor Jugu në Prishtinë.

Këto ishin dy rastet kur para disa javësh këta policë shkrepën aksidentalisht armët e tyre zyrtare.

Kjo u pa si shqetësuese nga Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët i thanë televizionit se kanë hasur në mangësi gjatë procesit të trajnimit të policëve.

Nga ta u bë e ditur se kanë rekomanduar përfshirjen më të madhe të zyrtarëve në kurset e tilla.

Por, nga Policia e Kosovës thanë për tëvë1 se trajnimet me armë zjarri të policëve janë të specializuara dhe të avancuara.

“Trajnimi i personelit të Policisë së Kosovës bëhet në mënyrë të vazhdueshme përmes Trajnimeve të specializuara dhe të avancuara, Ricertifikimit, Trajnimeve të brendshme etj. Në Trajnimin për armë përfshihen armët e shkurta dhe të gjata sipas ligjit për armë dhe ky trajnim është intensiv. Qëllimi i këtij trajnimi është përgatitja e kadetëve policorë në aspektin teorik dhe praktik. Pjesa teorike ka të bëjë me mësimin ne klasë , mësimet duke iu referuar ligjeve, udhëzimeve administrative, rregulloreve në fuqi dhe planeve mësimore të aprovuara”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Mirëpo nënkoloneli në pension, Refki Morina po kërkon një trajtim më të veçantë në trajnimet për armë.

“Edhe pasi ta kryejnë akademinë në javë ose dy javë vazhdimisht të ketë trajnime të zyrtarëve të rinj policorë por edhe gjithë zyrtarëve policorë në mënyrë që manipulimi me armë të jetë më i sigurt për shkak se mund të vijë deri te më e keqja, plagosja e ndonjë qytetari, vetveten e plagosë ose ndonjë anëtari të familjes siç ka ndodhë”, shprehet Morina.

Sipas tij, në këtë dukuri ka ndikuar edhe shkurtimi i periudhës së trajnimit bazik për kadetët policorë.

“Këto arrihen dmth aftësitë e tyre në përdorimin e armës së zjarrtë arrihen me shkathtësitë e tyre, me trajnime të vazhdueshme. Prandaj trajnimet e vazhdueshme në Akademinë Policore shtesë edhe jashtë Policisë dmth, edhe në kohën kur ata e kryejnë Akademinë si zyrtarë policorë trajnimet me armë zjarri janë të domosdoshme, sidomos te montimi, demontimi i armës, përdorimi i armës etj në bazë të ligjit si duhet të përdoret”, shprehet Morina.

Para disa muajsh, një zyrtar policor i gjeneratës së fundit plagosi për vdekje tezakun e tij me armë zyrtare derisa po bëhej gati për punë./Tëvë1