Policia reagon në lidhje me pamjet e publikuara në rrjete ku shfaqet një motor që terrorizon pushuesit në Shëngjin.
Policia thotë se pamjet nuk janë të këtij sezoni veror.
Në një njoftim për mediat, policia sqaron se ajo është video e disa viteve më parë dhe se u dërgohet mediave me tendencë për t’u publikuar.
Kujtojmë që dy ditë më parë në plazhin e Potamit në Himarë, një skaf i drejtuar nga Arjan Tase përplasi për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdia, e cila ishte kthyer me familjen nga Britania për të kaluar disa ditë pushime në vendin tonë.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një person, me një mjet lundrues “Jet ski”, në det, në Shëngjin, duke kryer manovra që rrezikojnë jetën e një qytetari që po notonte, ju informojmë se:
Pamjet që shfaqen në video nuk janë aktuale të këtij sezoni veror, por të disa viteve më parë. Aktualisht, në vendin që shfaqet në video, ndodhet një objekt i ndërtuar para disa viteve.
Nisur nga publikimet e fundit në portale, të cilat nuk janë pamje aktuale, por që u dërgohen me tendencë portaleve për publikim, me qëllim nxitjen e reagimit qytetar, Policia e Shtetit apelon për çdo portal dhe media vizive e të shkruar, që të mos publikojnë video ose lajme të pakonfirmuara, por të marrin informacion të saktë pranë strukturave përgjegjëse në Policinë e Shtetit.


