Policia e Kosovës (PK) njofton se janë parandaluar tri raste të kontrabandës me mallra dhe të kalimit ilegal të kufirit.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se gjatë 24 orëve të kaluara njësitet e Policisë Kufitare të Kosovës, kanë realizuar disa operacione policore në funksion të parandalimit të kontrabandës me mallra dhe kalimit të paautorizuar të kufirit shtetëror, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në rastin e parë, thuhet se të dielën rreth orës 09:10 në fshatin Mjak, Policia kufitare, konkretisht Njësiti Task-Forcë Lindja, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës gjatë realizimit të detyrave të vëzhgimit, kanë vërejtur një automjet duke hyrë nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në territorin e Republikës së Kosovës.
Në veturën që u ndalua, thuhet se u gjet një sasi e duhanit të kontrabanduar.
“Automjeti i tipit Renault është ndaluar nga Policia dhe gjatë kontrollit është gjetur sasi e kontrabanduar e mallit ( duhan) si në vijim: Duhan i papërpunum 8 thas me nga 10 kg, duhan i llojit Malboro 250 pako x 0.5 kg, duhan i llojit Sobrani 250 pako x 0.5 kg, duhan i llojit Oriental 75 pako x 0.5 kg, duhan i llojit Davidov 225 pako x 0.5 kg, duhan i llojit Slims 25 pako x 0.5 kg, duhan i llojit Virginia 100 pako x 0.5 kg”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se sipas vlerësimeve fillestare nga kompetentët, mbi 440 kilogramë duhan sa janë sekuestruar, kapë vlerën e tregut rreth 7 mijë euro dhe rreth 19 mijë euro shmangie nga akciza.
Sipas Policisë, një person i dyshuar është intervistuar, me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti në procedurë të rregullt për “kontrabandë me mallra”, përderisa malli i kontrabanduar dërgohet në doganë për procedura të mëtejme ligjore.
“2. Me datë 29.10.2023, rreth orës 23:20, gjatë punës operative dhe koordinimit të njësiteve policore kufitare në fshatin Kremeshtak të Zveqanit është identifikuar një automjet kombi transportues i braktisur, i cili pas kontrollit ka rezultuar të jetë i mbushur me mall të kontrabanduar nga Serbia në Republikën e Kosovës si: produkte higjienike, pije dhe ushqime”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, në këtë rast thuhet se është identifikuar dhe kontrolluar edhe një automjet tjetër “Passat” me targa serbe, i cili dyshohet se ishte në përkujdesje/vëzhgim të rrugës gjatë kontrabandimit të mallit.
“Gjatë kontrollit nga Policia janë gjetur edhe dy (2) radiolidhje të cilat dyshohet se kontrabanduesit i kanë përdorë për qëllime komunikimi gjatë aktiviteteve të tyre ilegale. Radiolidhjet dhe malli janë konfiskuar, malli mbetet për tu vlerësuar në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, përderisa në koordinim me prokurorin rasti është iniciuar në procedurë të rregullt”, thuhet më tej.
Kurse, në rastin e tretë, thuhet se të dielën Policia Kufitare ka pranuar informacionet se disa persona të dyshuar përmes vijës kufitare në fshatin Turuçicë, kanë kryer me automjete/traktor “kalim të paautorizuar të vendkalimeve apo vijës kufitare”
“Pas angazhimeve operative policore nga Njësia e përbashkët kufitare rajoni-Veriu, ka arrit të ndaloj një kaminonetë VW, një Golf 4 dhe një traktor. Dyshohet se gjashtë (6) personat e dyshuar kishin për qellim prerjen e drunjëve dhe më pas kontrabandimin e tyre ne territorin e vendit tonë. Me vendim të prokurorit rasti është iniciuar në procedure të rregullt si “kalim i paautorizuar i vendkalimeve apo vijës kufitare”, njofton Policia.


