Lajme

Policia parandaloi kontrabandë nga Serbia në pesë automjete

10/12/2023 15:05
nga:N K

Policia e Kosovës, mbrëmjen e së mërkurës, ka parandaluar disa aktivitete kriminale të pesë personave të dyshuar.

Ata janë kapur duke bërë kalim ilegal të kufirit dhe kontrabandimit me mallra në fshatin Kozarevë, Zveçan.

Në njoftim thuhet se janë ndaluar pesë automjete të dyshuara, ku nga to katër me targa të Serbisë dhe një me targa të RKS-së.

Gjatë kontrollit të mjeteve janë hasur sasi e konsiderueshme e mallrave (produkte ushqimore dhe higjienike) të dyshuara si të kontrabanduara nga Serbia në Republikën e Kosovës.

Lidhur me rastin është konsultuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit iniciohen rastet ‘kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose vijës kufitare’ dhe ‘kontrabandim me mallra’, ku të njëjtat procedohen në procedurë të rregullt, ndërsa mjetet e përfshira në rast dhe mallrat e ngarkuara janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor Mitrovicë për procedura të mëtejme, në koordinim me Doganën e Kosovës për trajtim, sipas kompetencave.