Lajme

Policia ofron detaje për vrasjen në Lipjan

08/06/2022 08:44
nga:Astrit Gashi

Një burrë është vrarë e dy të tjerë janë plagosur mbrëmë në një lokal në Lipjan.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Ahmeti ka bërë me dije se deri te vrasja ka ardhur pas një mosmarrëveshje.

“Mbrëmë rreth orës 23:40, policia ka marrë informatën për një vrasje të ndodhur në një lokal në rrugën ”Lidhja e Prizrenit” në Lipjan. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat e deritanishme janë ngritur dyshimet se një mosmarrëveshje mes disa personave ka rezultuar me vrasje të një personi, si dhe plagosjen dhe dy personave të tjerë”, ka thënë Ahmeti.

Rasti është cilësuar si vrasje e rëndë.

“Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personave të dyshuar, si dhe janë duke punuar për ndriçimin e plotë të rasti i cili është cilësuar si vrasje e rëndë”, ka deklaruar Ahmeti.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se ngjarja ka filluar pas një konflikti verbal dhe fizik në mes pesë personave, e cila më pas ka eskaluar edhe me gjuajtje me armë.

Siç thuhet në raport, dy persona kanë shtënë me armë në drejtim të tre tjerëve dhe më pas kanë ikur në drejtim të panjohur.

“Është raportuar se pas një konflikti verbal dhe fizik, dy të dyshuar meshkuj kosovarë kanë qëlluar me armë zjarri tre viktima meshkuj kosovarë dhe janë larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në raport.

Tutje sipas raportit, viktimat janë dërguar në QKUK, ku njëri prej tyre duke mos i përballuar lëndimeve të marra ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor.

Ndërkaq, njësit relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes ku si prova materiale janë sekuestruar, tri gëzhoja, një predhë dhe një fragment metali.

Ndërsa, siç bëhet e ditur në raportin e policisë, dy të dyshuarit gjenden në arrati, rasti është në procedurë hetimore.