Lajme

Policia norvegjeze në kërkim të dy vëllezërve kosovarë për vrasje, thonë se po strehohen në Kosovë

10/27/2021 14:24
nga:M K

Policia e Norvegjisë është vënë në kërkim të dy vëllezërve nga Kosova, të cilët janë të dyshuar për vrasjen që ndodhi më 7 tetor në qytetin Mortensrud.

Valon dhe Visar Avdyli, sipas policisë norvegjeze dyshohet se që nga 9 tetori janë strehuar në Kosovë, përcjell VG.no.

Policia e Oslos ka publikuar edhe fotot e vëllezërve kosovarë, duke kërkuar informacione që do të bënin të mundshëm arrestimin e tyre.

Vrasja në fjalë ka ndodhur gjatë javës së parë të këtij muaji para një shkolle në qytetin Mortensrud, ku viktimë ishte 20-vjeçari Hamse Hashi Adan. Një burrë tjetër 40-vjeçar gjendet aktualisht në paraburgim si i dyshuar për bashkëpunim në vrasje.

Në anën tjetër, avokati i dy vëllezërve kosovarë, Svein Holden, ka thënë se ata mohojnë çdo lidhje me këtë vrasje.

“Unë kam qenë në kontakt me të dy pasi janë shpallur në kërkim dhe të dy mohojnë të kenë lidhje me ngjarjen”, tha Holden.

Në vitin 2016, vëllezërit Avdyli u bënë të parët në Norvegji që u dënuan sipas Ligjit të amandamentuar për terrorizmin.

Valon Avdyli u dënua për pjesëmarrje në organizatën terrorise IS, ndërsa Visar Avdyli për mbështetje materiale të vëllait të tretë, Egzon Avdyli.

Egzon Avdyli u vra në luftën e Sirisë në prill të vitit 2014 si pjesë e ISIS-it.

Mediat norvegjeze shkruajnë se Policia e këtij vendi nuk sheh asnjë lidhje midis dënimeve të mëparshme dhe vrasjes në Mortensrud, më 7 tetor.