Sporti

Policia njofton për 26 tifozë të arrestuar pas ndeshjes Angli – Skoci

06/19/2021 12:37
nga:Mergim Rreci

Në fund ata që kanë festuar janë skocezët, për tifozët e tyre barazimi ndaj armiqve anglezë ka shijuar si një fitore në një mbrëmje ku pushtuan Londrën dhe ku si zakonisht në evente të tilla të mëdha, kur bëhet fjalë për tifozët britanikë dhe konsumimin e alkoolit nuk kanë munguar edhe trazirat me shijimin e ndeshjes në stilin “british”.

Janë 26 personat e arrestuar në Londër mes të premtes dhe orëve të para të së shtunës gjatë një operacioni të policisë për ndeshjen e Euro 2020 të Anglisë kundër Skocisë në “Wembley”, siç ka njoftuar vetë policia e kryeqytetit anglez.

Arrestimet kanë ardhur gjatë një operacioni të policisë për futbollin ku përfshihen krime si prishje e rendit publik, zotërimi i një arme sulmi, dehje, çrregullime dhe sulm ndaj zyrtarëve, me policinë që ka raportuar edhe plagosje të lehta.

Policia bëri të ditur se pas 0-0 në “Wembley” në veriperëndim të Londrës, një turmë e madhe u grumbullua në Leicester Square, në qendër të qytetit. Sheshi u boshatis rreth orës 1:15 të mëngjesit edhe pse grupe individësh mbetën në zonat përreth.