Policia e Kosovës, në rajonin e Prishtinës, gjatë javës së kaluar ka zhvilluar një sërë aktivitetesh dhe aksionesh në lokacione të ndryshme.
Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe janë realizuar gjithsej 157 urdhëresa të gjykatës, prej të cilave 29 kanë qenë për vepra penale, ndërsa pjesa tjetër për kundërvajtje, seanca, verifikime dhe raste të tjera.
Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në fusha të tjera të sigurisë. Gjatë javës së kaluar, në rajonin e Prishtinës janë sekuestruar katër armë zjarri.
Në po të njëjtën periudhë kohore, kanë rezultuar me shqiptimin e 3172 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor, prej tyre 387 të evidentuara nga vetura inteligjente dhe vetura me radar mobil.


