Lajme

Policia me informacione shtesë për tragjedinë në Rrugën A: Njëri nga të lënduarit nuk u mbijetoi plagëve, kanë nisur hetimet

07/28/2026 17:44
nga:Genita C

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se njëri nga dy personat e lënduar në incidentin e ndodhur në një punishte në Rrugën A në Prishtinë, ku u rrëzua një kran, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Sipas Pllanës, viktima ishte dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij. Personi tjetër i lënduar po vazhdon trajtimin mjekësor.

Ai bëri të ditur se njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Si pasojë e lëndimeve, njëri nga ta nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipa mjekësore në QKUK. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Aktualisht, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, tha Pllana për GazetaBlic.