Dy persona kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur të premten në fshatin Livoç i Ulët, në Komunën e Gjilanit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 9 tetor 2026, rreth orës 14:25, në Stacionin Policor në Gjilan.
Menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, së bashku me dy prokurorë të Shtetit.
Gjatë ekzaminimit fillestar, është konstatuar se një person i gjinisë mashkullore, rreth 30-vjeçar, është gjetur pa shenja jete brenda një veture. Ai dyshohet se është vrarë nga arma e zjarrit.
Ndërkohë, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit është dërguar edhe një person i gjinisë femërore, rreth 30-vjeçare, e cila, sipas Policisë, ka mbërritur pa shenja jete. Dyshohet se edhe ajo është vrarë me armë zjarri nga i njëjti person i dyshuar.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.
Rrethanat e plota të këtij incidenti të rëndë ende nuk janë bërë të ditura. Policia e Kosovës dhe Prokuroria po merren me rastin, ndërsa priten informacione të tjera zyrtare lidhur me zhvillimet e hetimeve.


