Lajme

Policia kap në Vërmicë veturën e vjedhur në Bullgari

06/11/2022 13:42
nga:Genita C

Policia e Kosovës ka ndaluar një veturë të tipit ‘Land Rover’ në pikën kufitare të Vërmicës, nën dyshimin se është vjedhur në Bullgari vitin e kaluar.

Kështu ka bërë të ditur PK-ja me anë të një komunikate për media, duke theksuar se vetura është konfiskuar dhe është iniciuar rast penal për B.S, ngasës i automjetit, shtetas i Maqedonisë së Veriut.

“Në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, në hyrje nga territori i Republikës së Shqipërisë, më 10.06.2022 rreth orës 22:05 vije vetura Land Rover me targa të Maqedonisë së Veriut e cila drejtohej nga: B.S., (viti i lindje 1970, shtetas i Maqedonisë së Veriut). Kjo veturë është dërguar për kontrollim në ‘vijën e dytë’ dhe gjatë procedurave identifikuese e kontrolluese nga zyrtarë policorë të PK-së dhe zyrtarë nga FRONTEX-i të cilët janë me mision në Vërmicë, është ardhur në përfundim se vetura në fjalë rezulton e vjedhur në vitin 2021 në Bullgari. Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, është iniciuar rasti penal, është konfiskuar vetura dhe rasti do të vazhdojë të trajtohet në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatë.