Lajme

Policia jep detaje rreth ndalimit të serbëve në Merdare që transportonin materialin zgjedhor

01/15/2022 10:44
nga:Y I

Policia e Kosovës ka lëshuar komunikatë në lidhje me arrestimin e mbrëmshëm të zyrtarit serb që tentoi të fusë në Kosovë material zgjedhor për mbajtjen e referendumit.

Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se në Merdare janë ndaluar gjashtë persona.

Gjithashtu policia ka njoftuar se janë ndaluar dy kamionë dhe një veturë.

“Njësitet policore gjatë realizimit të detyrave dhe procedurave-kontrolleve që zbatohen
gjatë kalimeve kufitare, kanë vërejtur se në kamion kishte të ngarkuar material që dyshohej se përdoret për ‘referendumin’ që pritet të mbahet në Serbi”, njofton Policia.

Të arrestuarit janë kthyer për në Serbi, kurse kamionët e ndaluar tashmë janë dërguar në doganë.

“Në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, dy mjetet transportuese(kamionët) janë dërguar tek autoritet kompetente doganore, ndërsa pas intervistimit personat me automjetin e tyre janë kthyer mbrapa në Serbi.

Rasti do të vazhdojë të trajtohet në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe organet e drejtësisë”, njofton tutje Policia.

 

LAJMI I FUNDIT: Gjashtë persona dhe dy kamion që transportonin materialin zgjedhor ndalohen në Merdarë