Lajme

Policia jep detaje për aksionin kundër kontrabandës në veri dhe komuna të tjera

10/13/2021 11:01
nga:M K

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksionin kundër kontrabandës që po kryhet në nivel vendi.

Sipas njoftimit të PK-së, aksioni është duke u zhvilluar në katër rajone të Kosovës, ku përfshihen kryeqyteti, Komuna e Pejës, Mitrovica e Jugut dhe Mitrovica e Veriut.

Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazine të mallrave etj.

Në këtë operacion policor i cili është duke vazhduar ende, janë angazhuar Dogana e Kosovës dhe njësite të profileve të ndryshme policore, të cilat janë në mbështetje dhe përkrahje të këtij operacioni policor.

Më herët është raportuar se banorët serb në Mitrovicën veriore kanë kundërshtuar aksionin e policisë duke dalur në protesta e duke hedhur gurë dhe gaz lotsjellës ndaj automjeteve të policisë.

Deri më tani është raportuar për një veturë të djegur të policisë, ndërsa nuk dihet për të lënduar.