Lajme

Policia identifikon dy të dyshuar për përdorim armësh në Rahovec pas publikimit të një videoje në rrjete sociale

05/22/2025 16:13
nga:G B

Policia në Rahovec ka identifikuar dy persona të dyshuar për përdorim të armëve zjarri, pasi një video ku ata shihen duke shtënë me armë  dhe u bë virale në rrjetet sociale më 15 mars 2025.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të lumit Drini i Bardhë në fshatin Radostë.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se njëri nga të dyshuarit u gjet në vendbanimin e tij dhe dorëzoi vullnetarisht një pistoletë për sinjalizim me zë, kalibër 9 mm, dhe një pushkë ajrore kalibër 4.5 mm, që dyshohet se u përdorën në incident.

Ndërkohë, i dyshuari i dytë nuk u gjet në shtëpi pasi dyshohet se ndodhet jashtë vendit. Megjithatë, familjarët e tij, me autorizim, dorëzuan në polici një tjetër pistoletë për sinjalizim me zë dhe tre fishekë, e cila po ashtu dyshohet të jetë përdorur në rast.

“Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që ndaj të dyshuarve të iniciohet procedurë penale për veprën "Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve&quot. Armët janë sekuestruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt. Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë mbetet e përkushtuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe në ndërmarrjen e masave ligjore ndaj çdo veprimi që cenon rendin dhe qetësinë publike”, thuhet tutje në komunikatë.