Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka gjetur armë, municion dhe granata dore në një shtëpi të braktisur në Zveçan.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se sot, më 24.01.2026, rreth orës 09:20, Policia e Kosovës, pas pranimit të informatave përmes rrugëve operative, në fshatin Joshevik, komuna e Zveçanit, gjatë kontrollit të një shtëpie të braktisur ka gjetur dhe sekuestruar armë, municion, granate dore, etj.
Më saktësisht janë gjetur:
- 1 armë automatike AK-47
- 1 pushkë gjysmë automatike dy tytëshe
- 10 karikatorë të zbrazët
- 6 karikatorë të mbushur me nga 30 fishekë
- 84 copë fishekë për pushkë automatike
- 14 copë fishekë për pushkë gjysmë automatike
- 1 rrip për fishekë
- 2 granata dore M50
- Si dhe pajisje për pastrimin e armëve
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia thekson se deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka persona të arrestuar në lidhje me këtë rast.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme, si dhe i inkurajon që çdo rast të dyshimtë apo veprim të kundërligjshëm ta raportojnë në numrin emergjent 192 ose në stacionin më të afërt policor.
“Vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë mund të sigurojmë një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët, pa dallim”, thuhet në njoftim.



