Lajme

Policia e Shkodrës asgjëson 1987 bimë kanabis, procedohen 3 kryetarë fshatrash

08/24/2025 14:36
nga:Y I

Policia e Shkodrës gjatë kontrolleve në territor ka gjetur dhe asgjësuar 1987 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike në territorin e njësive administrative Gur i Zi dhe Postribë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 186 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.

“U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Shpor, shtetasin M. C., për kryetarin e fshatit Ura e Shtrenjt, shtetasin R. M., dhe për kryetarin e fshatit Vilez, shtetasin F. L.

Në territorin e njësisë administrative Shllak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 1801 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa”, bëri me dije policia.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.