Lajme

Policia e Kosovës: Situata në veri është qetësuar

05/26/2023 22:00
nga:Arsim Buxhovi

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas përshkallëzimit të situatës të sotme në veriun e vendit, janë ndërmarrë masa ku janë larguar mjetet transportuese, është bërë pastrimi i rrugëve, dhe tashmë situata është e qetë.

Policia thotë se individë dhe grupe të caktuara kriminale, përveç sulmeve ndaj zyrtarëve policorë, ku janë lënduar 5 prej tyre, kanë tentuar të bllokojnë rrugë të ndryshme me zhavor, gurë dhe mjete të rënda transportuese.

“Ashtu siç është bërë e ditur përmes njoftimeve zyrtare, sot Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese ka asistuar kryetarët e komunave veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare komunale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale.

Në njoftimin për media është thënë se kryetarët e komunave pas veprimeve policore, kanë hyrë në objektet komunale, në vendet e tyre të punës.

“Si pasojë e sulmeve pesë (5) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, janë dëmtuar katër (4) automjete zyrtare, njërës prej tyre iu ishte vënë zjarri duke u dëmtuar në tersi, janë dëmtuar disa vetura civile përfshirë të gazetarëve, si dhe tri (3) vetura të EULEX-it. Po ashtu në disa raste në lokacione të ndryshme janë dëgjuar të shtëna me armë, për të cilat po kryhen hetime në bashkëpunim me organet e drejtësisë”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Gjithashtu, është thënë se hetimet dhe veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, për rastin e cilësuar si “Cenim i Rendit Kushtetues & Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm & Dëmtim Asgjësim i Pasurisë”.