Lajme

Policia e Kosovës – portaleve sërbe: Raportimet për përfshirje të agjensioneve të sigurisë brenda PK-së, të pavërteta!

09/21/2021 21:34
nga:M K

Policia e Kosovës u ka reaguar mediave sërbe lidhur me pretendimet e tyre se në aksionin e Policisë së Kosovës në veri janë përfshirë edhe ushtarë të FSK-së.

Përmes një komunikate për media, PK u është drejtuar mediave sërbe, duke thënë se pretendimet për përfshirje të agjensioneve tjera në kuadër të zbatimit të ligjit në tërë territorin e vendit, janë tërësisht të pavërteta, përcjell GazetaBlic.

Më poshtë edhe njoftimi i plotë.

Informacion për media
Prishtinë, 21 shtator 2021
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore dhe kushtetuese është e përkushtuar në mbajtjen e rendit, garantimin e sigurisë publike si dhe ndër të tjera menaxhimin dhe kontrollin e qarkullimit kufitar në nivel vendi.
Me qëllim të realizimit të detyrave dhe autorizimeve policore, në operacione të caktuara bëhen planifikimet e nevojshme operacionale, përfshirë planifikimet e burimeve njerëzore dhe ato logjistike, varësisht prej natyrës dhe nevojës operacionale.
Vlen të potencohet se në operacionin policor i cili është duke u realizuar në nivel vendi, përfshirë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, janë të inkuadruar vetëm zyrtarë të Policisë së Kosovës, përderisa pretendimet dhe spekulimet e disa mediumeve serbe se në këtë operacion janë të involvuara edhe agjensione tjera të sigurise janë të pavërteta.
Andaj, Policia e Kosovës me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, përmes këtij informacioni zyrtar reagon dhe njëherit demanton shkrimet e disa mediave/portaleve serbe.
Me respekt,
Zyra për informim

/GazetaBlic/