Lajme

Policia e Kosovës paralajmëron dasmorët që ndalen në rrugë, ekspertët e komunikacionit japin detajet

08/12/2024 19:48
nga:N K

Policia e Kosovës ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që gjatë dasmave të mos rrezikojnë pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në Facebook, ku në mes tjerash theksohet se të gjithë ata që i kryejnë këto veprime do të dënohen me 150 euro dhe një pikë negative, ndërsa personat e tjerë me 100 euro gjobë.

Në lidhje me këtë çështje, është deklaruar eksperti i sigurisë rrugore, Muhamed Krasniqi, i cili ka theksuar se duhet intensifikimi i fushatave për të rritur ndërgjegjësimin e përdoruesve të rrugës dhe gjithashtu sipas tij, ndryshimet në sjellje mund të marrin kohë për shkak të traditave kulturore të cilat janë në Kosovë.

“Policia e Kosovës shihet se kohëve të fundit ka shtuar aktivitetet e saja në rrugë dhe ka ndërmarrë disa masa shtesë, për të adresuar shqetësimet që lidhen me lëvizjen e automjeteve, sidomos gjatë këtyre ditëve kur po krijohen kolona gjatë ahengjeve ose dasmave. Natyrisht qe ardhja e mërgimtarëve ne vendlindje e ka shtuar disa fish fluksin e automjeteve në rrugë. Me informimin dhe edukimin e publikut rreth rreziqeve të krijimit të kolonave dhe bllokimit të trafikut, pritet që pjesëmarrësit në dasma të janë më të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e trafikut. Në tërësi, ndërgjegjësimi pritet të rritet, por ndryshimet në sjellje mund të marrin kohë, duke pasur parasysh traditat tona kulturore, të cilat akoma i ruajmë me xhelozi”, tha ai për GazetaBlic.

Eksperti i sigurisë rrugore i pyetur për dënimet efektive për shoferët e ahengjeve, ai potencon se të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion rrugor duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre që bëjnë ata gjatë lëvizjes në rrugë.

“Mendoj se masat e ndërmarra nga Policia e Kosovës, synojnë të ruajnë rrjedhshmërinë e trafikut dhe të minimizojnë rrezikun e aksidenteve apo incidenteve gjatë ngjarjeve festive, si dasmat dhe ahengjet. Duke kontrolluar dhe disiplinuar lëvizjen e automjeteve, policia synon të parandalojë situata të rrezikshme dhe të sigurojë që të gjithë përdoruesit e rrugës të janë të sigurt. Gjobitja ose dënimi i kundërvajtësve eventual, sidomos në dasma dhe ahengje të ndryshme, duhet të kuptohet si masë e fundit sepse të gjithë shoferët duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre gjatë lëvizjes në rrugë”, tha tutje ai.

Ai tutje e sheh të arsyeshme bashkëpunimin e Policisë së Kosovës me organizatorët që merren me dasmat për të pasur lëvizje të kontrolluar të automjeteve.

“Në këtë frymë mendoj se duhet një bashkëpunim i policisë me organizatorët e dasmave dhe të ahengjeve, për të siguruar që lëvizja e automjeteve të jetë e kontrolluar dhe të mos pengojë rrjedhën e rregullt të trafikut. Mendoj se intensifikimi i fushatave për të rritur ndërgjegjësimin e përdoruesve të rrugës, lidhur me rrezikun që paraqesin kolonat e tilla për sigurinë rrugore janë të domosdoshme”, vazhdoi Krasniqi.

Sa i përket sigurisë rrugore në këtë sezonë, Krasniqi thekson se Policia e Kosovës është e nevojshme të monitorojë automjetet për të ketë kolona që nuk janë të nevojshme.

“Ndoshta do të ishte me interes për sigurinë rrugore, që gjatë fundjavave dhe periudhave të ngarkuara, policia të vendos pika kontrolli në rrugë strategjike për të monitoruar dhe ndaluar automjetet që krijojnë kolona të panevojshme”, vazhdoi ai.

Ndërsa, në lidhje me kolonat e gjata me makina në dasmat e bëra në sezonën e verës, ai tutje thekson se ka mungesë të disa pjesëmarrësëve në komunikacion që nuk janë të vetëdijëshëm ndaj rregullave dhe shenjave të trafikut.

“Faktorët që ndikojnë në krijimin e kolonave në rrugë gjatë dasmave në Kosovë përfshijnë disa aspekte sociale, kulturore dhe infrastrukturore. Dasmat shpesh përfshijnë kolona të gjata me makina që lëvizin së bashku, një traditë kulturore që simbolizon festimin dhe unitetin familjar. Kjo traditë, ndonëse e rëndësishme, shpesh krijon bllokime në trafik. Pastaj jo të gjithë pjesëmarrësit në dasma, janë të vetëdijshëm për shenjat dhe rregullat e trafikut dhe pasojat e mosrespektimit të këtyre dispozitave ligjore”, përfundoi Muhamed Krasniqi.

Sa i përket organizimit të kolonës së dasmave në bazë të ligjit të komunikacionit, inxhinieri i komunikacionit tregon rregullat të cilat duhet të respektohen nga shoferët në ahengjet familjare.

“Organizimi i kolonës së dasmave në bazë të ligjit të komunikacionit, ka disa rregulla të cilat duhet të respektohen për të siguruar sigurinë rrugore dhe për të shmangur aksidentet apo shkeljet e tjera.

Sipas ligjit të komunikacionit:

• Të gjithë pjesëmarrësit në kolonën e dasmës duhet të respektojnë të gjitha rregullat e qarkullimit, përfshirë shpejtësinë e lejuar, tabelat e komunikacionit dhe rregullat e kalimit në kryqëzimeve.

• Përdorimi i boris, ndriçuesve ose sinjaleve të tjera që mund të jenë shqetësuese për pjesëmarrësit e tjerë në rrugë është i kufizuar. Nuk lejohet të bëhet zhurmë e tepruar ose të krijohet konfuzion.

• Nuk është e lejuar që automjetet në kolonën e dasmës të bëjnë tejkalime të pa kontrolluara veçanërisht në zona të rrezikshme ose me shikueshmëri të kufizuar, nuk lejohet që automjetet brenda kolonës së dasmës të tejkalojnë njëra tjetrën përveç në rastet kur ato kan prishje apo për arsye teknike ndalen apo shmangen nga rruga.

• Automjetet në kolonë duhet të mbajnë një distancë të sigurt mes tyre për të shmangur aksidentet, sidomos kur trafiku është i dendur.

• Ndalesat e papritura dhe në vende të paautorizuara nuk lejohen, përveç rasteve kur është e domosdoshme për sigurinë ose për të respektuar shenjat e komunikacionit”, tregon ai.

Inxhinieri i komunikacionit thekson se mosrespektimi i masave të komunikacionit mund të sjellë ndëshkime për ata që i organizojnë dasmat.

“Mosrespektimi i këtyre rregullave mund të sjellë ndëshkime nga ana e policisë dhe masa të tjera ligjore për ata që organizojnë ose marrin pjesë në kolonën e dasmës”, përfundoi Liridon Shahini. /GazetaBlic/