Lajme

Policia e Kosovës, pa dhunë në baza gjinore brenda institucionit

06/24/2024 17:01
nga:Mihane Hoxha

Referuar të dhënave zyrtare rezulton që Policia e Kosovës nuk ballafaqohet me dhunë në baza gjinore. Kundër kësaj dukurie kanë kontribuar organizatat e misionet ndërkombëtare të sigurisë, të cilat përmes trajnimeve dhe seminareve kanë integruar gratë në uniformë, si vlerë e shtuar e Policisë së Kosovës.

Kanë mbetur edhe pak muaj kur Policia e Kosovës shënon 25 vjetorin e themelimit të saj, një rrugëtim jo fort i gjatë, por që numëron shumë suksese karshi sfidave dhe vështirësive me të cilat ballafaqohet në rutinën e përditshme. Qytetarët e Kosovës, mekanizmat e ndryshëm vendor e ndërkombëtarë e cilësojnë Policinë e Kosovës si njërën ndër institucionet më të besueshme në vend, sipas një sërë hulumtimesh të opinionit.

Përveç që në përbërjen e saj ka pjesëtarë nga të gjitha pakicat etnike, Policia e Kosovës, ka shtuar pjesëmarrjen e grave në shërbim në rreth 16 %.

Majori i policisë së Kosovës Luljetë Limani, konsiderohet njëra nga policet e para në uniformën e Policisë së Kosovës (në atë botë Shërbimi Policor i Kosovës).

Pra, rrugëtimin e saj prej policeje ajo e filloi 24 vite më parë, saktësisht në tetorin e vitit 2000. E aktualisht mban Pozitën e drejtoreshës në Drejtorinë e Parandalimit dhe Hetimit të Dhunës në Familje.

Imazhi i gruas përmes shërbimit policorë – sfidë dhe krenari

Me simbolet e shtetit të Kosovës që i mbanë mbi supe me krenari e përgjegjësi të madhe, Limani, me nostalgji shpalos detaje nga momentet e para të shërbimit të saj si police.

“Fillimi i karrierës si pjesëtare e Policisë së Kosovës në tetor të vitit 2000, u shoqërua me një ndjenjë të thellë të përkushtimit dhe përgatitjes për sfidat e mundshme. Për mua si një vajzë e re, përveç dëshirës së madhe për t’i shërbyer vendit si pjesëtare e policisë ka qenë edhe kureshtje e madhe sepse me herët në forcat e policisë, prania e grave ka qenë minimale dhe prezenca e tyre nëpër hapësira publike nuk është vërejtur fare”.

Gruaja në uniformë – përballë paragjykimeve

Major Limani, ka theksuar se në fillimet e saja, ka pasur dilema se si do ta prisnin qytetarët, pasi që inkuadrimi i grave në polici ishte risi, dhe që deri në atë kohë kjo punë është konsideruar si profesion i dominuar nga burrat.

“Sot kur e kujtoj, jam shumë krenare me veten sepse ne si gratë e para të policisë kemi arritur që të thyejmë edhe tabu, por edhe të ndryshojmë mendimin e qytetarëve për mundësinë që ofron gruaja në fushën e sigurisë”, ka thënë ajo.

Tutje, Limani, ka treguar se puna në terren si police në njësi patrulluese ka qenë sfidë, sepse ballafaqoheshin me situata të ndryshme ku kishte edhe rrezik, por asnjëherë se kishte menduar të tërhiqej, sepse krahas punës që kishte dhe ballafaqimeve të ndryshme, nuk i mungonin as falënderimet e qytetarëve për shërbimin që ajo dhe kolegët e saj ofronin.

“Kishte shumë gra dhe vajza që na shikonin me admirim për guximin tonë dhe na pyesnin se si mund të bashkohen edhe ato. Fakti që kam ndikuar tek ndonjë vajzë e re që edhe ajo të realizojë dëshirën e saj më motivon edhe sot në punën time”, është shprehur Limani.

Ngacmimet seksuale dhe diskriminimi në baza gjinore (s’)ka vend në Policinë e Kosovës?

Majore Limani është shprehur se gjatë karrierës së saj ka pasur rastin që mbikëqyrës të ketë eprorë të gjinisë mashkullore dhe asnjëherë nuk është ndier e diskriminuar apo ndonjë lloj trajtimi ndryshe nga çka ishte e paraparë në kuadër të punës dhe raporteve kolegiale.

“Kam pasur fatin që të kem një familje e cila jo se më ka penguar, por ka qenë mbështetësja ime më e madhe. Përpos edukatës familjare që është baza e një mirësjellje në shoqëri, unë kam pasur rastin që në fillim të karrierës të kemi trajnime të ndryshme, mes tjerash edhe çështjet e barazisë gjinore dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi. Besoj se edhe këto kanë ndikuar pozitivisht në karrierën time për ndërtimin e raporteve të shëndosha dhe profesionale me të gjithë kolegët pa dallim gjinie dhe etnie”, ka potencuar Limani.

Ndërsa, duke komentuar çështjen e ngacmimeve seksuale, Major Limani, ka bërë të ditur se Policia e Kosovës, përveç ligjeve të zbatueshme në vend e ka të rregulluar edhe me udhëzime administrative, rregullore dhe kjo nuk tolerohet në asnjë rrethanë dhe përmes mekanizmave të brendshëm dhe të jashtëm të mbikëqyrjes çdo rast i referuar trajtohet sipas ligjit dhe procedurave.

Gradimet dhe pozitat udhëheqëse brenda Policisë së Kosovës – pa referencë gjininë

Luljetë Limani, ka potencuar se nivelin e gradës Major e ka arritur përmes proceseve të rregullta duke iu nënshtruar procedurës për gradime e cila ka qenë e barabartë për të gjithë punonjësit Policor njësoj.

“Kam kryer të gjitha testet dhe trajnimet e nevojshme, pa asnjë dallim dhe unë personalisht nuk mund të them se X,Y personi ka marr gradë apo është avancuar për shkak të gjinisë. Gjithashtu, momentalisht mbaj pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Parandalimit dhe Hetimit të Dhunës në Familje, dhe vartësit e mi janë të dy gjinive. Pra, raportet kolegiale i kemi shumë të mira dhe komunikimi është i hapur për çfarëdo çështje brenda drejtorisë tonë”.

Tutje, Limani, ka shtuar Policia e Kosovës ka në zbatim edhe agjendën për barazi gjinore në Policinë e Kosovës dhe plani i veprimit 2024-2028, që shërben si udhëzues për Policinë në raport me diversitetin, të drejtat e njeriut, ngritjen dhe zhvillimin profesional.

Sipas saj, ky dokument siguron një qasje të përgjegjshme të perspektivës gjinore në të gjitha proceset dhe praktikat e tyre, me qëllim të rritjes së besimit në Polici.

“Me qëllim të përfshirjes së numrit më të madh të grave në Policinë e Kosovës, janë aplikuar masat e veçanta afirmative dhe falë kësaj viteve të fundit kemi arritur që të përfshijmë numër më të madh të grave në policinë e Kosovës, dhe kjo tregon se Policia e Kosovës, ka prioritet çështjet e barazisë gjinor. Andaj, sinqeriteti, integriteti, tiparet e guximit dhe këmbënguljes gjatë realizimit të detyrave nuk janë tipare mashkullore e as femërore, por janë tipare që të ndihmojnë të bëhesh profesionale pavarësisht gjinisë”, ka përfunduar major Limani.

Uniforma e policisë së Kosovës respekton vetëm ligjin dhe jo privilegjet gjinore

Në anën tjetër, major Ramadan Ahmeti, i cili aktualisht është drejtor i Drejtorisë së Policisë në Bashkësi dhe Parandalim, ka përshkruar fillimet e karrierës së tij në uniformën e Policisë së Kosovës, duke bërë me dije që si para 25 viteve ashtu edhe në ditët e sotme gratë police kanë qenë shumë të zonjat gjatë detyrave policore, dhe nuk ka pasë vend për diskriminime apo Privilegje gjinore.

“Karrierën time si polic i Kosovës e kam filluar në prill të vitit 2000, risi ka qenë çdo gjë për mua atëherë, mirëpo edhe çështja e bashkëngjitjes së policeve femra nuk është se e kishim parë si praktik në vendin tonë. Megjithatë, unë nuk vërejta ndonjë mangësi. Nga shkolla policore kishim në klasë disa kolege gra, por gjithashtu edhe gjatë kryerjes së detyrave në terren ato ishin të barabarta dhe të afta të kryejnë detyrat sikur burrat”, ka treguar Ahmeti.

Madje, major Ahmeti ka potencuar që gjatë karrierës së tij, ka pasur rastin që mbikëqyrës të ketë eprorë të gjinisë femërore dhe kjo asnjëherë nuk e ka bërë të ndihet i diskriminuar apo çfarëdo lloj trajtimi ndryshe nga çka ishte e paraparë në kuadër të punës dhe raporteve kolegiale.

“Përpos edukatës familjare që është baza e një mirësjellje në shoqëri, ne kemi pasur rastin që në fillim të karrierës të kemi trajnime të ndryshme mes tjerash edhe çështjet e barazisë gjinore dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi. Besoj se edhe këto kanë ndikuar që gjatë karrierës time të ndikojnë pozitivisht në raporte të shëndosha dhe profesionale me kolegë të gjinisë femërore”, ka shtuar ai.

 Procesi i gradimit është procedurë e barabartë për të gjitha gjinitë

Ramadan Ahmeti ka potencuar se gjatë kalimit të viteve në punë, së bashku me kolegët e tij i është nënshtruar një procedure unike për gradime e cila ka qenë e barabartë për të gjithë punonjësit policorë njësoj, pa dallime gjinie apo etnie.

“Gjatë 24 viteve përvojë pune, unë personalisht nuk mund të them se X,Y personi ka marr gradë apo është avancuar për shkak gjinisë. Momentalisht mbaj pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Policisë në Bashkësi dhe Parandalim dhe vartësit e mi janë të dy gjinive (për momentin dominon gjinia femërore). Raportet kolegiale i kemi shumë të mira dhe komunikimi është i hapur për çfarëdo çështje brenda drejtorisë tonë. Policia në vazhdimësi organizon, ndjek trajnime të
ndryshme që ndërlidhen me çështjet gjinore brenda dhe jashtë vendit. Promovimi i të drejtave dhe barazisë gjinore në kuadër të policisë së Kosovës, është një ndër vlerat e organizatës tonë”, ka përfunduar major Ahmeti.

Në gjë e tillë është konfirmuar edhe nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës dhe Komisioni i Ankesave, duke u shprehur se të “gjithë zyrtarët policorë, në Policinë e Kosovës, gëzojnë trajtim të barabartë pa marrë parasysh gjininë”.

Kurse, Shoqata e Grave në Policinë e Kosovës, në prononcimin e tyre kanë dhënë një përgjigje shumë të shkurtër, duke e mohuar se në Policinë e Kosovës ka raste të evidentuara sa i përket dhunës në baza gjinore.

“Deri më tani nuk kemi të regjistruar ndonjë rast në lidhje me kërkesën tuaj”, thuhet në
përgjigjen e tyre.

Bashkëpunimi ndërkombëtar – policisë së Kosovës i ka kontribuar në profesionalizëm

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE), e cila është mbështetësja më e madhe e Policisë së Kosovës, që nga themelimi e deri më tani, ka treguar për kontributin e dhënë ndër vite për të rritur numrin e grave me uniformë.

“Sa i përket barazisë gjinore, ndër vite, ne kemi mbështetur Policinë e Kosovës në ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në sektorin e sigurisë. Ne kemi zhvilluar edhe seminare trajnuese dhe kemi lobuar për masa afirmative të burimeve njerëzore për të rritur numrin e grave me uniformë, si dhe interesimin e grave të reja për të aplikuar, për t’iu bashkuar PK-së dhe për t’i mbështetur ato në ndërtimin dhe ruajtjen e karrierës së tyre”.

Gjithashtu, OSBE ka theksuar që dhjetë vjet më parë ka qenë pjesë e themelimit të Shoqatës së Grave, në Policinë e Kosovës.

“Shoqata e Grave në PK, është një forum për oficeret femra për t’u rrjetëzuar, shkëmbyer përvoja, promovuar barazinë gjinore dhe për të kontribuar në fuqizimin e grave. Që nga themelimi i tij, Misioni ka mbështetur këtë shoqatë, për të arritur objektivat e saj strategjikë përmes iniciativave të ndryshme avokuese, seminareve trajnuese, programeve të lidershipit dhe mundësive të rrjetëzimit. Si rezultat, kjo shoqatë mbështeti një numër të madh policesh në PK,
për të ndjekur pozita udhëheqëse dhe për të shkëlqyer në karrierën e tyre”.

Tutje, në përgjigjen e tyre bëjnë të ditur, se me kalimin e viteve, OSBE ka vëzhguar rolin instrumental të Shoqatës së Grave në Policinë e Kosovës, në ndërgjegjësimin për sfidat unike me të cilat përballen gratë në polici.

Ndërsa, në prononcimin e tyre nga EULEX, kanë treguar se Policisë së Kosovës, i kanë ofruar mbështetje në lidhje me luftën kundër dhunës në baza gjinore.
Ndër të tjera, parashohin krijimin e infrastrukturave gjinore të brendshme organizative për ta integruar barazinë gjinore si në veprimet e brendshme ashtu edhe në ato të jashtme të Policisë së Kosovës, duke përfshirë krijimin e grupeve punuese gjinore të brendshme të udhëhequra nga strukturat e larta drejtuese. “Menaxhimi transformues gjinor dhe politikat e brendshme që kanë të bëjnë me ngacmimin (përfshirë ngacmimin seksual), si dhe krijimi i një mjedisi pune të përgjegjshëm ndaj aspektit gjinor janë gjithashtu pjesë përbërëse e këtyre Agjendave”, kanë bërë të ditur nga EULEX.

Inspektorati Policor i Kosovës nuk trajton raste të dhunës në baza gjinore brenda Policisë së Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se nuk trajton ankesat efushës administrative/disiplinore që mund të ndërlidhen me vendimet e natyrës menaxheriale (përderisa nuk përbën vepër penale). Andaj, këto ankesa trajtohen nga Drejtoria për Hetime të Brendshme në kuadër të Policisë së Kosovës.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Luftimi i Diskriminimit, Gjuhës së Urrejtjes dhe Dhunës në Baza Gjinore”. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e ATRC, IKS, D4D dhe AGK, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.