Lajme

Policia e Kosovës arrestohen dy të huaj për kontrabandim me migrantë

12/23/2025 22:21
nga:Y I

Sektori i Hetimeve të Departamentit për Kufi i Policisë së Kosovës, në bashkëpunim dhe në asistencë edhe të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka njoftuar se pas një periudhe disamujore monitorimi nga institucionet kompetente, të martën ka arrestuar një shtetas jordanez dhe një shtetase turke, nën dyshimin për kryerje të veprës penale “Kontrabandim me migrantë”.

Policia bëri të ditur se sipas të dhënave hetimore, “i lartcekuri dyshohet se ka organizuar ardhjen e shtetasve të huaj, kryesisht nga shtetet e Lindjes së Mesme dhe Azia, me qëllim të hyrjes së tyre në Republikën e Kosovës, prej nga më pas dyshohet se bëhej kontrabandimi i tyre në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian”.

“Po ashtu ndaj të njëjtit ekziston dyshimi se ka udhëhequr një grup të mirëorganizuar kriminal, të cilët dyshohet se kanë përfituar mjete të konsiderueshme financiare nga kjo veprimtari e paligjshme”, tha Policia.

Lidhur me rastin është realizuar kontrolli tek personi i dyshuar ku janë gjetur dhe konfiskuar gjithsej 53 pasaporta të shtetasve jordanezë.

Për veprimet e ndërmarra është konsultuar edhe prokuroria kompetente, me vendimin e së cilës dy të dyshuarit dërgohen në ndalim për 48 orë.