Lajme

Policia e Kosovës apel qytetarëve: Thirrjet për protesta në jug të Mitrovicës, qëllimkëqija dhe të dyshimta – mos bini pre e tyre

06/01/2023 08:53
nga:G B

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në protestë, nga disa profile në rrjete sociale që po bëhen për protestë masive sot në ora 12 në jug të Mitrovicës, raporton Gazeta Blic.

Përmes një njoftimi për media, Policia ka thënë se këto postime janë qëllim këqija dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, teksa ka bërë thirrje për qetësi dhe të mos bien pre e asnjë organizimi të tillë nga persona të panjohur.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës u bënë thirrje qytetarëve të shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në protestë

Prishtinë, më 01 qershor 2023

Policia e Kosovës është në dijeni se, nëpër media të ndryshme sociale, nga persona dhe profile të ndryshme, janë duke qarkulluar postime me thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë, për pjesëmarrje në gjoja protestë masovike, sot në ora 12:00, në Jug të Mitrovicës dhe me synim kinse për marshim në Veri të vendit.

Dëshirojmë të sqarojmë se, pas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës.

Prandaj, Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e asnjë gjoja organizimi nga persona të panjohur, por të lënë institucionet e sigurisë, institucionet e Republikës së Kosovës të trajtojnë situatën me profesionalizëm.

Garantojmë qytetarët se institucionet e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti Policia e Kosovës, janë plotësisht të aftë dhe të përkushtuar për të garantuar siguri, rend dhe qetësi për të gjithë qytetarët pa dallim.

Ne e vlerësojmë lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.