Lajme

Policia e cilësoi si lëndim të lehtë trupor rrahjen brutale të një gruaje në një market në Prishtinë

10/26/2021 09:39
nga:M K

Mbrëmë në media është publikuar një video ku shihet një burrë që sulmon fizikisht një grua në një market në Prishtinë.

Në video shihet i dyshuari teksa rrah me grushte një grua. I gjithë rasti ndodhi derisa viktima ishte duke shikuar artikuj dhe i dyshuari shoqëruar nga gruaja dhe djemtë e tij të mitur, u nervozua se pse karroca e saj ia zuri rrugën dhe filloi ta rrahë brutalisht.

Për këtë rast ishte deklaruar edhe Policia e Kosovës e cila në raportin 24 orësh të së hënës, e ka cilësuar këtë rast si “Lëndim i lehtë trupor”.

Në raportin e policisë, është bërë e ditur se rasti ka ndodhur të dielën në orën 14:20.

Sipas këtij raporti, sulmi fizik ka ardhur pas një mosmarrëveshjeje.

Viktima në këtë rast ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërkaq i dyshuari, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“LËNDIM I LEHTË TRUPOR-Prishtinë, 24.10.2021 – 14:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur policia.