Lajme

Policia dhe Dogana parandalojnë një rast të kontrabandimit me mallra nga Serbia

11/29/2023 22:42
nga:Y I

Policia e Kosovës, gjegjësisht njësitet e Task Forcës – Lindje, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë hasur në një traktor me rimorkio të improvizuar i cili po hynte në Kosovë nga territori i Serbisë.

Traktori ka qenë duke hyrë nga fshati Tërrnoc i Bujanocit në fshatin Hodonoc të Kamenicës.

Pas ndalimit nga njësitë kompetente policore, në mjetin e lartcekur është identifikuar i dyshuari mashkull kosovar me iniciale L.I. ku gjatë kontrollit të mjetit janë gjetur të ngarkuara mallrat për të cilat i dyshuari nuk kishte asnjë dokument përkatës.

Zyrtarët në rimorkion e traktorit kanë gjetur 330 sifona (mbledhëse uji) dhe 36 fontana (rezervuar uji) për guacë të banjos.

Lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent malli i kontrabanduar sekuestrohet dhe do të dërgohet në Terminalin Doganor-Dheu i Bardhë.