Lajme

Policia arreston edhe personin e dytë të dyshuar për vjedhjen e matësve të ujit në një objekt ndërtimi në Vushtrri

12/18/2025 16:20
nga:G B

Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë arrestuar tashmë edhe personin e dytë të dyshuar për vjedhjen e rëndë që ka ndodhur në qytetin e Vushtrrisë.

Gjithashtu hetuesit policorë kanë identifikuar edhe lokacionin e sendeve të vjedhura me ç’rast janë sekuestruar njehsorët e vjedhur dhe është arrestuar edhe një person i moshës madhore.

“Pas intervistimit dhe procedurave të nevojshme, ndaj personit të dyshuar të moshës madhore është iniciuar rasti për veprën penale: ,,Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penal”. Me udhëzim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, ka bërë të ditur Policia.

Ndërsa personit të dyshuar (i moshës se mitur) për kryerjen e veprës penale të vjedhjes së rëndë, me aktvendim të prokurorit i është caktuara masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Personi i parë lidhur me rastin e vjedhjes është arrestuar më 16 dhjetor.

“Arrestimi i të dyshuarit ishte realizuar mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm dhe provave të siguruara . Sipas hetimeve, i dyshuari në bashkëveprim edhe me një person tjetër i cili mbetet në kërkim policor, dyshohet se ka kryer vjedhje të rëndë në një objekt ndërtimi, ku cak i vjedhjes kanë qenë 45 (dyzet e pesë) njësor uji”, kishte njoftuar policia me datën 16 dhjetor.