Lajme

Policia arreston dy persona në Pejë, dyshohet se ua keqpërdorën kartelat disa personave e ua tërhoqën mjetet nga skema pensionale

01/17/2025 14:47
nga:N K

Policia e Kosovës, saktësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një aksion në Pejë, me ç’rast ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprat penale “ Keqpërdorim të detyrës zyrtare“, “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.

Në njoftimin e PK-së thuhe se të arrestuar janë një burrë dhe një grua, të cilët dyshohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete kanë keqpërdorur kartelat bankare të disa personave dhe ua kanë tërhequr mjetet e përfituara nga skema pensionale.

Ndërsa, tërheqja e parave dyshohet se ka ndodhur në vazhdimësi për disa muaj.

Policia bën të ditur se gjatë kontrollit të lokacioneve janë gjetur dhe janë sekuestruar dëshmi si në vijim: 6 kartela bankare në emër të personave të tjerë, 1 telefon, si dhe dokumentacion me rëndësi për procedurat hetimore.

Gjithashtu janë gjetur dy armë zjarri, një AK-47 dhe një armë e shkurtër për të cilat pas konsultimit me prokurorin e rastit është iniciuar rast i veçantë.

Personat e dyshuar janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri 48 orë.