Zyrtari policor, Mirsad Kryeziu ka treguar në detaje sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku ka thënë se nga shpërthimi që kishte ndodhur ishte plagosur rreshteri, tashmë i ndjeri, Afrim Bunjaku.
Bunjaku kishte qenë udhëheqës i ekipit që iu kishte bashkuar, pasi kishin vërejtur kamionët që kishin bllokuar rrugën.
Kryeziu ka thënë se gjuajtjet me armë të ndryshme nuk kishin të ndalur, teksa tregoi vështirësitë që kanë pasur për tërheqjen e Bunjakut.
“Kam kapur Afrimin, kam tentuar ta fus në veturë, mirëpo i vetëm nuk kam arritur ta bëj atë, sepse ishte e vështirë për shkak të gjuajtjeve të pandërprera. Kam kërkuar ndihmë nga kolegët, por për shkak të breshërive të armëve s’kanë mundur të më dëgjojnë. Jam drejtuar nga Albani që ai të vinte të më ndihmonte. Ai më është përgjigjur dhe më tha: ‘S’mundem, se kam të plagosur afër.’ Aty ka qenë edhe Elez Peci, është futur nga pjesa tjetër e veturës, unë nga pjesa tjetër, kur ishin gjuajtjet, dhe e kemi futur në veturë rreshterin. Në ato momente rreshteri, normalisht, ka qenë i plagosur dhe i kishin rënë arma dhe radio-lidhja. I kam marrë dhe jam nisur në drejtim të Mitrovicës.”
Tutje, dëshmitari ka thënë se sulmuesit kanë qenë të uniformuar dhe me maska, ndërkohë që, sipas tij, struktura ngjasonte me strukturë ushtarake.


