Sporti

Polic dhe sportist, Anton Cena siguron medalje për Kosovën në garat evropiane të Policisë, Zjarrëfikësve, Korrektuesve dhe Doganierëve

10/17/2024 15:49
nga:E K

Polic dhe sportist. Kjo është historia e Anton Cenës që po bën krenar shtetin dhe Policinë e Kosovës.

Pjestari i Policisë së Kosovës, Anton Cena po merr pjesë në garat evropiane të Policisë, Zjarrëfikësve Korrektuesve dhe Doganierëve duke arritur të siguroi edhe medalje për institucionin që përfaqëson.

Cena siguroi medalje në xhudo duke e mposhtur garuesin 30 vjet më të ri se vet ai.

Në intervistë për GazetaBlic Sport ai tregoi se është krenar që përfaqëson Policinë e Kosovës dhe me arritjet e tij në Braga të Portugalisë.

“Është krenari që ta përfaqësosh Policinë e Kosovës, kjo krenari nuk përshkruhet me fjalë. Kur të gjitha luftërat kthehen në fitore është një ndjenjë e veçantë. Të duartrokitesh nga shtete që ende nuk e kanë pranuar shtetësinë e Kosovës është emocion i veçantë. Në këtë garë ka qenë edhe garuesi i Spanjës dhe pas garës folëm për mospranimin e shtetësisë së Kosovës nga Spanja. U rrëfeva edhe rastin e heronjëve që kanë dhënë jetën për lirinë e Spanjës si Asim Vokshi dhe Xhemajl Kada. Ata u befasuan nga informata që ua dhashë dhe thanë se si është e mundur që dy shqiptarë nga Kosova kanë dhënë jetën për pavarësinë e Spanjës ndërsa Spanja sot nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Në fund dëshiroi ta falenderoj Policinë e Kosovës dhe drejtorin gjeneral z.Gazmend Hoxha për mbështetjen e tyre sepse pa mbështetjen e tyre nuk do arrinim në këto medalje”.

Personat si Anton Cena përveç se e përfaqësojnë mirë uniformën institucionale të Policisë së Kosovës, janë figura shembullore edhe në aspektin e përfaqësimit të vendit në arenën ndërkombëtare si dhe shembull i mirë për gjeneratat e reja.

/GazetaBlic Sport