Emocionet e ndeshjes Shqipëri – Serbi, janë shumë më të veçanta për Labinot Berishën dhe ka një arsye të fortë për këtë gjë.
Së bashku me shokun e tij nga Skenderaj, Leotrim Gashin, ishin dy personat e vetëm shqiptarë, të cilët morën pjesë në ndeshjen Serbi – Shqipëri, të zhvilluar në vitin 2014.
Kjo dyshe e ndanin së bashku vendin e punës dhe bashkë me disa kolegë të tjerë kishin vendosur që të udhëtojnë për Beograd, por më pas, kolegët dështuan, dhe udhëtimin e bën vetëm Berisha dhe Gashi.
Një udhëtim shumë i vështirë, plotë sfida, me shumë rrezik, por edhe më shumë emocione, të cilat në bazë se si shkuan gjërat, mund të themi lirisht që ishte një kërcënim serioz për jetën e dy shqiptarëve.
Në një intervistë ekskluzive për ‘GazetaBlic Sport‘, Labinot Berisha, tregon se si e realizuan pjesëmarrjen në këtë sfidë.
“Bashkë me Leotrimin e ndanim vendim e punës dhe vendosem që së bashku me disa kolegë të shkojmë në Beograd. Ndërkohë, e kuptuam në media që Federata e Serbisë e kishte ndaluar pjesëmarrjen e tifozëve shqiptarë në stadium. Por ne kishim vendosur që të shkojmë, në fakt unë dhe Leotrimi, sepse kolegët e tjerë vendosen që të mos vijnë. Ne shkuam dy ditë përpara ndeshjes, në mënyrë që autoritetet mos të dyshojnë që ne po shkojmë për të hyrë në stadium“, deklaroi fillimisht ai.

Derisa një pjesë e rrezikut kaloi, tjetra ishte edhe më shumë sfiduese, ndoshta edhe më shumë sesa pritej nga dy tifozët shqiptarë.
Shumë sfiduese ishte forma për të hyrë në stadium, sepse policia po kontrollonte rreptësisht, me Berishën dhe Gashin, që nuk dini gjuhën serbe, por vetëm disa fjalë.
“Kur erdhi koha e ndeshjes, policia legjitimonte personat që futeshin brenda, duke kërkuar leternjoftimat dhe biletat, për të parë se kush po hynte brenda. Asnjëri nga ne nuk e flisnim gjuhën serbe. Leotrimi ishte më i ri se unë, ai doli përpara meje dhe i tha policit që kolegu im i ka leternjoftimat e të dyve. Atë e lejuan të kalojnë, por kur erdhi radha ime, më kërkuan dy letërnjoftimet, unë i thashë që i kam harruar në hotel, nuk më la të futem, por në një tollovi që u krijua, unë u futa disi me forcë dhe e kujtoj shumë mirë atë moment, kur polici në fjalë më shau dhe ofendoi, por mendoj që nuk e kuptoi që jemi shqiptarë“, vazhdoi tutje Berisha.

Hyrja dhe pjesëmarrja në stadium ka qenë një tmerr i vërtetë, thotë Berisha. Ai tregon se si serbët tentuan që nëpërmjet thirrjeve të kuptojnë se kush është shqiptar në stadium, poashtu mënyrën se si po vëzhgoheshin nga masa.
“Kur jemi futur në stadium, ka qenë një tmerr i vërtetë. Në videot e publikuara, nga personat që e njohin gjuhën e tyre, e kemi kuptuar se ata kanë kënduar ‘Kush nuk kërcën, është shqiptarë’, në mënyrë që të kuptojnë se kush nga personat e pranishëm në stadium janë shqiptarë. Ne nuk e kemi kuptuar dhe kemi qëndruar në heshtje. E di që masa na kanë vëzhguar me një lloj syri të veçantë, duke qenë shumë të rrezikuar”, shtoi Berisha.

Emocionet ishin të jashtëzakonshme kur droni u fut në fushë, sipas Berishës, ka qenë një zhurmë e fortë paraprakisht, por një krenari e madhe kur e panë përmbajtjen e tij,
“Kur është futur droni, kemi dëgju zhurma të mëdha. Fillimisht nuk e kemi përceptuar se çfarë përmbajtje ka, derisa ai ka rënë poshtë. Ndjenja ka qenë jashtëzakonisht emocionale, figurativisht ashtu sikur me të vërtetë e kemi çliruar një tokë që na është pushtuar prej shumë kohësh, mbi moton “Ne jemi këtu”. Ka qenë një ndjenjë kombëtarisht shumë e fortë, aq sa nuk e kam fuqinë ta përshkruaj me fjalë.

Ndoshta ka qenë një fat për neve që ndeshja është ndërprerë, sepse përndyshe kemi qenë shumë, shumë të rrezikuar. Pasiguria ka qenë shumë e madhe në momentin kur kanë shpërthyer trazirat. Ne kemi qëndruar në heshtje, por e mbajë mend shumë mirë, në momentin kur kemi dalur nga stadiumi, ka pasur aq tensione dhe aq fyerje të mëdha, saqë sikur të kuptohej që jemi shqiptarë, jam i sigurt që sot ndoshta nuk do të ishim gjallë. Përfundoi gjithçka, por ne kemi qëndruar më pas edhe dy ditë në Beograd, sepse kishte raportime në media se kishim marrë pjesë në ndeshje dhe ishim të rrezikuar. Mirëpo, ne u kthyem me shumë krenari dhe fatmirësisht pa lëndime, jo pse ata na dhanë siguri, sepse ishim në një mjedis shumë armiqësor, por sepse e kontrolluam situatën dhe u kujdesem që gjithçka të shkonte mirë“, vazhdon me deklarimin e tij Berisha.
Krejt në fund, ai komentoi edhe ndeshjen e së shtunës, duke shpresuar që Shqipëria të fitojë dhe që shqiptarët të tregojnë vlerat e tyre kulturore, pavarësisht që nevojitet karakteri luftarak, në një aspek sportiv.
“Për mua personalisht, ndeshja ndaj Serbisë që do të zhvillohet të shtunën është shumë e veçantë. Dua që kjo ndeshje të shihet si ndeshje sportive, por duhet të tregojmë karakterin luftarak. Unë dua ta shoh si sport, dua ta fitojmë këtë ndeshje, por edhe të tregojmë vlerat tona kulturore që kemi. Shpresoj shumë që të dalim fitues”, përfundoi Berisha.

/GazetaBlic Sport/


