Hakim Ziyech vijon të mbetet objektivi kryesor i Milanit për merkaton e janarit. 29-vjeçari i Chelsea cilësohet si përforcimi i duhur për krahun e djathtë të sulmit. Pavarësisht performancave jo të mira me skuadrën londineze, Ziyech është transformuar me Marokun në Botërorin e Katarit.
Ai po bën shumë mirë me Kombëtaren e tij, që ndaj Portugalisë do tentojë kalimin në gjysmëfinalet e Botërorit, diçka që nuk e ka arritur asnjë skuadër afrikane më parë. Ndërkohë, kampionët e Italisë kanë përgatitur planin për të mbërritur te lojtari i lindur në Holandë.
Raporti me Chelsea është shumë i mirë dhe kuqezinjtë synojnë të marrin Ziyech në huazim me të drejtë blerje në fund të sezonit për një shumë që prek shifrën 15 milionë euro në total. Lojtari maroken, i cili mund të luajë edhe pas sulmuesit, përfiton rreth 6 milionë euro në sezon.
Ziyech e sheh me sy të mirë kalimin në Milanello, madje është gati të sakrifikojë disi nga paga e tij sezonale për të firmosur me një nga klubet më të mëdha në botë, aty ku e pret një rol si protagonist, ndryshe nga aventura në “Stamford Bridge”./SS