Sporti

Po shkëlqen këtë sezon, Cristian Shpendi rinovon kontratën me ekipin italian

12/05/2024 14:17
nga:Lorik J

Pas paraqitjeve fantastike dhe shifrave mbresëlënëse, Cesena nuk humbi kohë dhe rinovoi kontratën me Cristian Shpendin. Sulmuesi shqiptar arriti marrëveshje me klubin e Serie B, për të qëndruar së bashku deri në vitin 2028. Sipas asaj që shkruan Tuttosport, Cesena kërkon të fitojë sa më shumë nga shitja e mundshme e talentit kuqezi dhe nuk e lëshon pa 15 milionë euro në pjatë.

Interesimi për Shpendin i ka kaluar kufinjtë e Italisë. Një alternativë në horizont është Premier League, aty ku pavarësisht vështirësive për aktivizim, do të ishte një panoramë për të ardhmen e tij. Nuk mund të lihet pa përmendur edhe Championship, një kampionat në të cilin Cristian Shpendi do të mund të tregonte veten.

21-vjeçari ka luajtur 14 ndeshje në këtë sezon me Cesenan, ku ka shënuar 10 gola. Në edicionin e kaluar, Shpendi realizoi 20 gola. E ardhmja duket e ndritur, me lojtarin shqiptar që nëse vazhdon me këto ritme, nuk do jetë e largët dita kur do e shikojmë në një skuadër të madhe.