Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot në veri se po presin që QUINT-i dhe KFOR-i të koordinohen për hapjen e urës së Ibrit, pasi Qeveria është e gatshme dhe i ka kryer të gjitha përgatitjet, raporton Gazeta Blic.
“Ne jemi gati, me konsultime dhe koordinim, po i presim QUINT-in dhe KFOR-in, ne i kemi kryer punët tona, kemi bërë përgatitjet sa i përket pastrimit, mjedisit rrotull aty, edhe vlerësimit të qëndrueshmërisë në aspektin fizik dhe teknik, tashmë kanë kaluar bukur kohë që raporti preliminar thotë se ura është e qëndrueshme, besoj ajo urë duhet të hapet edhe për automjete sepse liria e lëvizjes, sundimi i ligjit dhe marrëveshja në Bruksel e kërkojnë një gjë të tillë”, deklaroi Kurti para mediave.
Lidhur me këtë, ish diplomatja Alma Lama, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kurti po bën lojëra politike për arsye elektorale.
Sipas saj, hapja e urës është minore në krahasim me stabilitetin në veri dhe partneritetin me aleatët.
“Mendoj se z.Kurti po bën lojëra politike për arsye elektorale. Hapja e urës është një çështje minore krahasuar me rëndësinë e stabilitetit në veri dhe ruajtjes së partneritetit me vendet e Quint-it”, deklaron Lama./Gazeta Blic/
Kurti për hapjen e Urës së Ibrit: Po i presim QUINT-in dhe KFOR-in


