Lajme

“Po piskas se ti nuk merr vesh ndryshe”, Dimal Basha sulmon verbalisht Jasharajn në korridoret e Kuvendit

09/21/2022 13:04
nga:Astrit Gashi

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj është përplasur me Dimal Bashën, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, në hapësirat e Kuvendit të Kosovës menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Arsim.

Pasi Jasharaj e lëshoi raportimin në Komisionin për Arsim, ishte Dimal Basha ai i cili me zë të lartë i thoshte Jasharajt se “dinjitetin e ke kthyer në para, se i do 100 euro”.

“A ke punuar para luftës pa para, tash për 50 euro po i mban fëmijët peng a?”, është shprehur Basha drejtuar Jasharajt.

Ndërsa, në lidhje me tonin e zërit, Jasharaj i tha Bashës se “çka po bërtet”, teksa Basha ia ktheu se “po bërtas se ti nuk kupton ndryshe”.

Kurse, diskutimi me tone të larta mori fund kur Jasharaj i tha Bashës se “deputetët si puna jote e kanë sjellur kuvendin në këtë gjendje”.

Përplasja mes tyre ka nisur në përfundim të mbledhjes së komisionit parlamentar, të cilën Jasharaj e lëshoi para kohe shkaku i deklarimeve të deputetit Basha.