Sporti

“Po përballemi me verditke kontestuese nga gjyqtarët” – Ballkani reagon pas vendimit të Feronikelit ’74 për tërheqje nga Superliga: Lajmin e pranuam me shqetësim të thellë

10/31/2024 19:50
nga:E K

Skuadra e Superligës së Kosovës, Feronikeli ’74 është tërhequr nga garat shkaku i shumë parregullsive në referim gjatë 11-javëve të zhvilluara.

Përmes rrjeteve sociale, klubi nga Drenasi ka plasur “bombën” dhe tashmë është tërhequr zyrtarisht nga garat, transmeton GazetaBlic Sport.

Klubi nga Suhareka, FC Ballkani ka reaguar pas njoftimit për tërheqje nga gara të Feronikelit ’74.

Postimi i plotë:

REAGIM!
FC Ballkani e ka pranuar me shqetësim shumë të thellë, njoftimin nga Feronikeli’74 se ky klub ka vendosur të tërhiqet nga garat e mëtutjeshme të Superligës.
Arsyet e skuadrës nga Drenasi i ndjejmë të gjithë, pasi më nuk është i fshehur fakti se po përballemi me verditke kontestuese nga gjyqtarët e ndeshjeve, pothuajse çdo javë.
Ne si klub kampion e që i kemi dhënë shumë futbollit të Kosovës, bëjmë apel tek Federata e Futbollit të Kosovës që të ndërmerren masa progresive në referim, pasi kjo që sot po ndodh me Feronikelin, nesër mund të ndodh me ne apo klubet tjera kosovare.
Ekipi ikonik nga Drenica është i lidhur ngusht me historinë e futbollit tonë shtetëror, është 3 herë kampion, po aq herë fitues i Kupës së Kosovës e triumfues në dy Superkupa.
Klubet e tilla që kanë kontribuar gjatë që sporti më i dashur i tifozëve të shënojë progres, janë asete të Republikës andaj nuk mund të lejohet që t’i shikojmë të detyruar për akte të tilla.