Driton Shuki dyshonte se një biznesmen nga Shqipëria që e kërcënoi me jetë përmes një mesazhi në telefon, po planifikonte edhe vrasjen e tij.
Biznesmeni nga Shqipëria quhet Arlend Gjoni. Është arrestuar të dielën në pikë-kalimin kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në Han të Elezit.
Zyrtarisht, ai po ndiqet penalisht nga autoritetet kosovare për kanosjen e pronarit të klinikës private shëndetësore, Avicena.
Dosja e Prokurorisë së Prishtinës të cilën e ka siguruar Paparaci, hedh dritë mbi ngjarjen që në mes të konfliktit mes Gjonit dhe Shukit vë një vajzë nga Shkupi, e cila thuhet se është aktualisht e dashura e biznesmenit shqiptar.
Gjoni, një tregtar i naftës e karburanteve tjera në Shqipëri, e kërcënoi pronarin e Avicenës ditën e 30 shtatorit të vitit të kaluar.
“Atë që ja kam bërë djalit të tezes tende … (ngjarje që kishte ndodhur në Shkup), ty do ta bëjë në lule të ballit”, i shkroi Gjoni një mesazh në Whatsapp Shukit, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
“Me daten 30.09.2023, ne ore te pacaktuar, i pandehuri, me qellim te frikesimit dhe ankthit, seriozisht e kanos me fjale personin tjeter këtu të dëmtuarin Driton Shuki, se do ta privoj nga jeta, në atë mënyrë që i pandehuri pas një mosmarrëveshje paraprake që kishte me të dëmtuarin lidhur me një vajzë nga Shkupi, që i pandehuri ishte në lidhje dashurie me të, ditën kritike përmes rrjetit social WhatsApp, e kanos të dëmtuarin duke ju drejtuar me fjalët ‘atë që ja kam bërë djalit të tezes tende … (ngjarje që kishte ndodhur në Shkup), ty do ta bëjë në lule të ballit’”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Driton Shuki, e denoncoi ngjarjen në Policinë e Kosovës disa ditë më vonë.
Në një deklaratë dhënë hetuesve policorë, Shuki tha se ka informacione se po planifikohej vrasja e tij nga Gjoni. Tha se, bazuar në informatat e tij “të besueshme”, Gjoni po kërkonte njerëz me pagesë për të kryer aktin.
“Nga deklarata e të dëmtuarit e dhënë në cilësi të dëshmitarit në Polici më datën 15.11.2023 i cili në deklaratën e tij ka deklaruar se është kanosur nga i pandehuri dhe njëherë i ka preznatuar provat siç janë transkriptimi i bisedave duke shtuar se pas pranimit të kërcënimit nga i pandehuri i njëjti është ndjerë i kërcënuar nga i pandehuri duke deklaruar se ka informata të besueshme se i pandehuri është duke kërkuar njerëz me pagesë të kryer vrasjen e atij dhe ata në Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri dhe në Kosovë”, thuhet në dosje.
Arlend Gjoni është arrestuar të hënën në Han të Elezit.
Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar nga gjykata të caktojë masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Gjonit.
Arlend Gjoni nuk është i panjohur për organet e rendit edhe në Maqedoninë e Veriut. I njëjti kohë më parë dyshohet të ketë plagosur një person me inicialet V.A i cili kishte edhe funksione publike në Maqedoninë e Veriut, ndërsa që dyshohet të ketë kërcënuar edhe një biznesmen tjetër kosovar dhe familjen e tij.
Gjithashtu Gjoni njihet si njeri i afërt i një grupi kriminal që ishte goditur nga policia maqedonase në janar të këtij viti. Për këtë grup në konferencë për media kishte dalë edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Ky grup dyshohet se kishte organizuar edhe një vrasje të stilit mafioz, e cila ishte kryer në Prishtinë. Viktimë e këtij akti kriminal kishte mbetur Blerim Daci, që konsiderohet të jetë një nga rivalët e këtij grupi, për të cilin flet edhe ish Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski. Kjo ngjarje kishte ndodhur në qershor të vitit 2023.
Ndërkohë, ishte pasuar me vrasjen e Orhan Bajramit më pas që konsiderohej si një nga krerët e këtij grupi kriminal. Ai ishte vrarë në korrik të 2023 në një resort luksoz në Greqi.
Ish Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski kishte thënë se ky grup i organizuar, kishte lidhje të forta me strukturat e sigurisë në Maqedoninë e Veriut transmeton Paparaci.