Arif Mulolli, është vetëm njëri nga shumë punëtorët e kësaj korporate që erdhi këtë të premte për të protestuar para KEK-ut në Prishtinë, me kërkesën për rritje pagash.
Mulloli thotë se puna që ata bëjnë e rreziku që u kanoset, nuk e kupton askush.
“Këta bojnë hajgare me neve, se fëmijën e vet këta i kanë siguruar e për neve nuk kanë ndërgjegje, nuk kanë shpirt, se një njeri që ka shpirt, pak më ndryshe e respekton një bagerist që i jep dritë kësaj Kosove. Puna është e rrezikshme, ne jemi në rrezik çdo minutë e në çdo sekondë. Ne punojmë mbi rrymë, bageri punon me rrymë, po në bazë të kushteve që i kemi ne nuk paguhemi me rroga minimale”, deklaroi punëtori i KEK-ut, Arif Mulolli.
Përveç rritjes së rrogës, sindikalistët patën edhe disa kërkesa të tjera.
“Kush më shumë se na meriton pagën e 13-të?! Derisa kërkesa për rritje pagash është e kamotshme, paga nuk është rrit, në gjithë sektorin publik e kemi parë një rritje page edhe me në korrik, por jo edhe për punëtorët e KEK-ut. Ne e dimë që sigurimin fizik e kanë kthyer me KEK-un, kur ia kanë dhënë operatorëve ekonomik ia kanë dhënë 2.7 milionë euro në vit. Ndërsa, punëtorëve tash që i kanë kthyer e që lavdërohen se siguria është shumë e madhe, gjë për të cilën pajtohemi edhe ne, por këtyre po ia japin veç 1.800 mijë euro”, tha kryetari i Sindikatës së re të KEK-ut, Nexhat LLumnica.
Ndër të tjerash, ata kërkuan edhe që ky hap i tyre i ndërmarrë të mos politizohet.
“Shumë herë mbrëmje shohim analistë dhe njerëz të caktuar nga partitë politike. Nuk dua me u marrë me asnjë hiç. Flasin në emër të KEK-ut e nuk e dinë bazën elementare çka është miniera dhe ekskavatori, nuk e dinë as çka është turbina e as gjeneratori. Nuk e dinë as rrjetin sa e përballon energjinë elektrike, shumë herë flasin në emër tonin, të klasës punëtore. Marrë duhet me ju ardh”, deklaroi Seldail Sadiku nga KEK.
Për këto kërkesa, sindikalistët bënë të ditur se një ditë më parë kanë zhvilluar një takim me bordin e KEK-ut, por që dolën pa një zgjidhje.
“Unë kam qenë mbrëmë në negocimi me kryetarin Llumnica, ata kanë kërkuar nga ne që të heqim dorë nga protesta. Mirëpo, ata nuk e kanë ditur që përballë vetes kanë sindikalistë që nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre për ngritjen e pagave”, tha Xhelal Jashari nga divizioni i prodhimit të thëngjillit.
Në mbështetje, këtyre punëtorëve u dolën edhe nga sindikata e KOSTT-it.
“Jemi të bashkuar, ky bashkim është bërë me punëtorët e KEK-ut dhe KOST-it. Kryetarit i kisha bërë apel që protestën e radhës ose grevën të bëjmë bashkë”, tha kryetari i Sindikatës së KOSST, Arben Pllana.
Sindikalistët paralajmëruan edhe protesta të tjera në rast se kërkesat e tyre nuk përmbushen.


