Sporti

‘Plisat’ nuk e pranojnë Bekë Berishën si kryetar të Sigal Prishtinës, paralajmërojnë masa

01/14/2026 22:07
nga:Mergim Rreci

‘Plisat’ kanë reaguar në lidhje me emërimin e Bekë Berishës, në krye të Sigal Prishtinës.

Berisha mori votat e delegatëve në mbledhjen e sotme, duke fituar epitetin e kryetarit të klubit më të trofeshëm në vend, shkruan GazetaBlic Sport.

Megjithatë, ‘Plisat’ nuk po e pranojnë atë si kryetar të ri dhe kanë paralajmëruar masa.

Ja postimi i plotë:

REAGIM

Sot u përballëm me një nga ngjarjet më të turpshme në histori të sportit të Kryeqytetit. Dhunshëm, tinëzisht dhe padrejtësisht, ata që nuk e duan klubin e basketbollit Prishtina, u mblodhën sot në një të ashtuquajtur kuvend, për ta zgjedhur kryetarin e ri të klubit.

Ky Kuvend i paligjshëm do të anulohet. Zgjedhja e një kryetari do të duhej të ishte e hapur. Gara do të duhej të ishte për idetë e vizionin për klubin. Sot, shkatërruesit e klubit e shfaqën vetëm frikën e tyre, të cilën u munduan ta mbulojnë me një figurë nga jashtë si mburojë.
Këto veprime tregojnë që Plisat kanë të drejtë. Qëndrimet tona u vërtetuan sërish se janë të drejta. Në këtë kryesi nuk ka dashuri për klubin, nuk ka interes për zhvillimin e klubit, prandaj edhe veprojnë nëpër terr.

Vjedhjet, keqpërdorimet, shkatërrimin e klubit, nuk mund t’i fshihni duke sjellë në karrigen e kryetarit një njeri që nuk ka asnjë lidhje me klubin, as me sportin e as me kryeqytetin.

Bekë Berisha është njeri joprofesional dhe aspak kompetent për këtë fushë. Duke e pas parasyshë këtë dhe formën se si është zjedhur ky njeri, e si po vepron kjo kryesi e klubit, ata nuk e kanë mbështetjen e Plisave. Kryesia sot zgjodhi kryetar një person që as nuk është tifoz dhe që kurrë në jetë nuk e ka përkrahur këtë klub.

Blerand Stavileci, Florian Miftari e Arsim Svirca, frika është ajo që ju karakterizon, andaj keni menduar që mënyra më e lehtë të përballeni me frikën është duke vendosur para jush “gardian”, por ju nuk e kuptoni që në botën e vërtetë kjo është e pavlerë. Ju do të gjykoheni për veprimet tuaja si udhëheqës të klubit. Për shkatërrimin e hajnitë që i keni bërë në klub. Nga kjo nuk do të mund t’ju shpëtojë asnjë figurë që e vendosni përpara vetes si mburojë.

Ashtu siç iu thamë edhe në mbledhje, ne nuk tërhiqemi. Ne nuk e pranojmë këtë kuvend. Këtë kryesi të turpit, e këtë Kryetar të instaluar paligjshëm e dhunshëm.

Në Kuvend ka qenë i pranishëm edhe Komandanti i Stacionit Policor të Prishtinës, Fatmir Balaj. Në çfarë cilësie është thirrë ky? Kur u bë ai delegat? Apo vetëm sa për të intimiduar? I njejti ka provuar edhe para disa kohësh të na shantazhojë në zyre të Policisë së Kosovës, për të na bërë të tërhiqemi nga kërkesat tona. Nëse ju mendoni që keni të drejtë, pse po frikësoheni?

Plisat nuk zbrapsen! Klubi është i joni.