Falë reagimit të qytetarëve dhe angazhimit diplomatik të Kosovës, dy nga platformat më të mëdha gjermane të udhëtimeve, HolidayCheck dhe CHECK24, kanë korrigjuar përkatësinë e destinacionit Prishtinë, duke e ndryshuar nga forma e mëparshme “Priština” në “Prishtina” ose “Pristina”.
Në një njoftim për media, Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, e vlerësoi këtë sukses si rezultat të bashkëpunimit të qytetarëve dhe diplomacisë aktive.
“Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete”, tha Ajeti.
Ajeti gjithashtu bëri thirrje që qytetarët të raportojnë çdo rast të pasaktësive të ngjashme në institucionet apo kompanitë gjermane.
“Nëse hasni ndonjë institucion apo kompani gjermane ku Republika e Kosovës apo qytetet tona nuk paraqitet në mënyrë korrekte, ju lutemi të na shkruani në [email protected], duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse, në mënyrë që këto pasaktësi të adresohen dhe korrigjohen. Vazhdojmë së bashku drejt sukseseve të radhës!”, u shpreh amabasadori.


