Lajme

Plani për Asociacionin, PDK kritika Qeverisë për mos transparencë

06/02/2022 10:49
nga:G B

Çështja e Asociacionit është rikthyer sërish temë diskutimi.

Krerët e shtetit vazhdimisht kanë kundërshtuar formimin e tij, pavarësisht se e kërkon Serbia.

Sipas raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, Qeveria e Kosovës ka një propozim për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ajo ka thënë se Asociacioni dhe marrëveshjet e tjera të mëhershme të dialogut duhet të zbatohen nga Kosova dhe Serbia, para arritjes së marrëveshjes finale.

Ndërsa, lidhur me këtë kryeministri Albin Kurti tha se nuk ka asnjë plan apo model për Asociacionin, derisa shtoi se Kosova e ka ASK e komunave dhe se ‘mjaft po i del ky asociacion’.

E Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se nuk ka transparencë për këtë temë por vetëm keqkuptime dhe interpretime të pasakta.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk është në dijeni për risi të tilla për një temë shumë të përfolur, por tash sa kohë pa asgjë konkrete. Duket se kohëve të fundit për këtë çështje konkretisht flitet rrallë edhe më rrallë ato bëhen të ditura. Për rrjedhojë ka shumë keqkuptime edhe më shumë mundësi të interpretimeve të pasakta”, thotë zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu për Gazeta Blic.

Ai kërkon që Qeveria të jetë transparente lidhur me këtë çështje, pasi as opozita e as qytetarët nuk kanë mundësi të informohen përderisa nuk ka transparencë.

“Prandaj ne nuk mund të shtojmë asgjë konkrete dhe përmbajtësore në këtë drejtim, përveçse të kërkojmë prej Qeverisë që të jetë më transparente. Qeveria do të duhej të ishte më transparente, sidomos për këtë çështje të rëndësishme që ne si opozitë, por as edhe qytetarët të mos informohen nga palë të ndryshme dhe pjesërisht. Kjo transparencë është e munguar, për fat të keq edhe në shumë sfera tjera”, potencon Abdullahu për Gazeta Blic.