Lajme

Plani legjistlativ i Qeverisë, vlerësohet ambicioz dhe i parealizueshëm

01/28/2024 21:48
nga:G B

Plot 101 projektligje, Zyra e Kryeministrit bashkë me ministritë kanë për synim t’i miratojnë e t’i bëjnë ligje këtë vit në Kuvend.

Sipas programit legjislativ që u miratua këtë javë, vetë ZKM-ja i ka të planifikuara 17 projektligje, pasuar nga Ministrja e Infrastrukturës me 16, ajo e Financave 15, MPB-ja 14, MD-ja 13 dhe të tjerat nga pesë, tre e dy projektligje.

Bile MD-ja të parin e ka listuar Kodin Civil, që vazhdon me ngulm të kundërshtohet nga disa deputetë të pushtetit, por që dikasteri që udhëheq Albulena Haxhiu, ka vendosur ta rikthejnë atë në këtë qershor.

Por ky institucion nuk ka treguar nëse ka garanci që i njëjti mund të kalojë së paku në vitin e fundit të mandatit.

Në sy bie edhe një projektligj i Ministrisë së Shëndetësisë, ai i sigurimeve shëndetësore që bartet vit pas viti, teksa do të ndryshohet edhe Ligji për Personat e Zhdukur, dhe një sërë të tjerësh.

Megjithatë aspak optimist se krejt ky numër projektligjesh mund të arrijë të miratohet, shprehet Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Sipas tij e rëndësishme është që të sillen në Kuvend ligje kualitative, e jo veç numër i madh ligjesh që shumica të mos e kalojnë pastaj filtrin e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa, Arbër Thaçi nga Instituti Demokratik i Kosovës, tregon arsyet pse projektligjet shpesh as s’arrijnë të draftohen në afatet e caktuara.

Në vitin 2023 Qeveria ka arritur të përmbush vetëm 52% të planit të punës në Kuvend, prej së cilës 28% e është miratuar, ndërsa 48% e agjendës në tërësi nuk ka arritur fare të dërgohet në Kuvend.