Lajme

“Plani i ri”/ Analistët flasin pas vizitës së pesëshes: Kushtet për t’u rikthyer në dialog pas sulmit të Banjskës

10/22/2023 21:04
nga:G B

Pesë emisarët perëndimorë dje kanë dorëzuar një “plan të ri” për atë se si do të vazhdohet përpara drejt normalizimit, kjo pasi që sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ka ndryshuar shumë gjëra.

Vizita e Lajçak dhe Escobar, të shoqëruar nga këshilltarët e Scholz, Macron dhe Melonit kanë zhvilluar vizita në Prishtinë dhe Beograd, në përpjekje për të rinisur procesin e dialogut që të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara.

Janë paralajmëruar biseda intensive me Kurtin e Vuçiqin për këtë plan të ri.

Lidhur me planin e ri nga pesë emisarët, për Gazeta Blic kanë folur analistët politikë.

Gazmir Raci thotë se çfarëdo që të jetë ai plan, s’është bërë asgjë nëse nuk parasheh zbatimin e planit franko-gjerman.

“Çfarëdo që të jetë ai plan, nëse nuk parasheh zbatimin e planit franko gjerman dhe të aneksit të Ohrit të sinkronizuar nga pika e parë deri te e fundit, unë mendoj se nuk kanë bërë asgjë dhe e kanë kthyer situatën sikur para 24 shtatorit”, thotë ai.

Ai për Gazeta Blic potencon se situata ka ndryshuar në terren dhe dialog pas sulmit në Banjskë dhe terroristët janë të lirë, por që ata duhet dënuar nga Serbia dhe kjo e fundit duhet ndëshkuar nga ana e BE-së.

“Na 24 shtatori situata ka ndryshuar në terren dhe dialog. Sfidë mbetet çështja e sigurisë sepse Radojçiq është ende i lirë dhe grupi me mbi 30 terroristë është ende i lirë, Serbia duhet të marrë përgjegjësi për këta persona, t’i nxjerrë para drejtësisë, t’i dënojë dhe po ashtu BE duhet ta ndëshkojë Serbinë për ndihmën që i ka dhënë këtij grupi terrorist për ta sulmuar Kosovën në formë të agresionit, ashtu siç e ka quajtur vetë BE si agresion dhe sulm terrorist ndaj Kosovës me 24 shtator, thekson analisti.

Raci shton se Kosova duhet të kthehet në dialog nëse fillimisht ka normalizim, njohje de facto e më pas Asociacion.

“Kosova duhet të kthehet në dialog vetëm nëse plani i sekuencimit parasheh fillimisht njohje de facto, normalizim të raporteve Kosovë-Serbi në këtë fazë dhe më pas Kosova të flasë për Asociacionin sipas marrëveshjes së 2013 dhe Kosova nuk ka mundësi tash të flasë për Asociacionin dhe pastaj kur Serbia të mund të vetëdijesohej për zbatim të pikave të para të marrëveshjes. Duhet të ndodhë e kundërta, normalizim, njohje de facto e më pas Asociacioni. Besoj se edhe bashkësia ndërkombëtare e ka kuptuar deri tash qëndrimin e Kosovës që ka qenë insistues në vazhdimësi”, deklaron analisti Gazmir Raci për Gazeta Blic.

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi, thotë se BE e SHBA kanë vendosur që të ndërtojnë shtet të tretë me formimin e Asociacionit.

“Në Prishtinë doli se nga rruga e përcaktuar në planin e BE-së nuk ka kthim prapa. Ndërsa, agresioni terrorist i shtetit serb, nuk u kap si shkak për masa ndëshkuese dhe fare nuk u fut në dialogim.
BE dhe SHBA kanë vendosur që në Kosovë të ndërtohet shteti i tretë serb. Me Asociacion (bashkësi) realizohet de-fakto dhe de-jure shteti serb. Natyrisht se pa Kosovë nuk mund të arrihet ky qëllim. I duhet pajtueshmëria e Kosovës. Mirëpo, Kosova nuk mund të pranojë një shtet serb në Republikën e vetë të ngushtuar dhe të asimiluar nga Beogradi gjate historisë. Në Kosovë nuk ka tokë për shtet serb”, shprehet ai.

Kelmendi thekson se Kosova s’duhet të lejojë serbizimin e territoreve shqiptare.

“Kosova nuk mund të lejojë serbizimin e territoreve historike shqiptare nga sllavët e jugut. Ndërtimi i asociacionit serb, duke e futur edhe Graçanicën. Shterpcën, Kllokotin, Parteshin, Ranillugun në Asociacion, me komunat e veriut të Kosovës, humb funksionalitetin shteti. Në Republikë reduktohet funksionaliteti i shtetit të Kosovës. Kosova humb territor. Nuk ka dëm më të madh. Këtej, nuk ka fare rëndësi se kush çka thotë dhe nga vjen. Serbët në Kosovë kanë të drejta të gjera. Nuk duhet lejuar asnjë lloj organizimi tjetër. Asociacioni i komunave serbe është subjekti vdekjeprurës i shtetit të Kosovës. Me atë kurrë nuk ka paqe. Kjo u pa edhe me rastin e terrorit serb në Banjskë të Zveqanit të Kosovës”, vlerëson profesori.

Ai shton se nuk është barazi derisa nuk flitet për Asociacionin për shqiptarët në Luginë, derisa vlerëson se Asociacioni sjell luftë mes Kosovës e Serbisë.

“Kjo, po del edhe në faktin se për 30 mije serbë kërkohet asociacion në Kosovë e për mbi 100 mijë shqiptarë në Luginën e Preshevës në Serbi as që diskutohet asociacioni. Kjo nuk është barazi. Për shtetin e Kosovës kjo ka rëndësi. Per z.Lajçak, z.Eskobar dhe të tre zotëritë tjerë nga Gjermania, Franca dhe Italia, nuk paska rëndësi. Pa asociacion nuk ka të ardhme. Dhe, nëse detyrohet Kosova në këtë organizim, atëherë veç është planifikuar lufta kundër terroristëve serbë. Me asociacion veç parashikohet lufta midis Kosovës e Serbisë. Kjo do të kuptohet, ndoshta, vetëm kur shpërthen terrori serbomadh. Tamam mjet planifikues për aktivitete terroriste të serbëve ndaj Kosovës. Këtu nuk ka lëshim”, deklaron Muhamet Kelmendi./Gazeta Blic/