Lajme

Plani i Daut Haradinajt për parkingjet në Kryeqytet

09/15/2021 13:51
nga:Gazeta Blic

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj ende pa nisur zyrtarisht fushata, po prezanton idetë e tij të shumta për komunën e Prishtinës, ku synon të bëhet kryetar.

Kryeqyteti ka shumë probleme. Qeverisjet e kaluara lokale janë treguar të paafta që t’i menaxhojnë të gjitha problemet e Prishtinës, duke përfshirë edhe mungesën e parkingjeve për vetura gjithandej kryeqytetit. Ky problem kaq i madh vazhdon të mbetet i pazgjidhur edhe në vitin 2021.

Daut Haradinaj, sipas një njoftimi të lëshuar për media e ka një plan.

Ai synon që brengën e parkingjeve t’ua zgjidhë banorëve të lagjeve më të frekuentuara të Prishtinës. Banorëve do t’u sigurohet me prioritet parkingu në pjesët anësore të rrugëve, në ato rrugë ku e lejon hapësira.

Nëse hapësira është e pamjaftueshme dhe në ato lagje ku ka dendësi veturash, Haradinaj planifikon që të ndërtojë parkingje vertikale, nën dhe mbi sipërfaqen e tokës, duke ndjekur praktikat e vendeve të zhvilluara të botës.

Prishtina është e mbytur nga kaosi i veturave, sepse vetëm gjatë 24 orëve, mijëra vetura hyjnë dhe dalin nga Prishtina, të drejtuara nga banorë të qyteteve të tjera që punojnë dhe e vizitojnë kryeqytetin për arsye të ndryshme.

Për ta zgjidhur këtë problem, si fillim, siaps njoftimit Haradinaj planifikon që në tri hyrjet kryesore të kryeqytetit, të ndërtojë parkingje pa pagesë për të penguar hyrjen me vetura në Prishtinë të atyre që s’janë banorë të saj. Por, një zgjidhje do t’u ofrohet edhe atyre, duke u ofruar transport publik falas. Me autobusë ata do të transportohen në pjesët qendrore të qytetit.

Planet dhe idetë e guximshme të Haradinajt paraqesin një fije shprese për Prishtinën, e cila nga dendësia e madhe e njerëzve dhe veturave, është bërë një vend pothuajse i pabanueshëm për banorët e saj.

Haradinaj u ofron zgjidhje kreative banorëve të Prishtinës për problemin e parkingjeve, por pa dëmtuar qytetarët e shumtë që vizitojnë Prishtinën në baza ditore për nevoja të ndryshme.