Banka Qendrore e Kosovës njoftoi dje për një fazë tre mujore të tranzicionit për dinarin dhe një plan 10 pikësh.
Kjo erdhi pas reagimit ndërkombëtar që vendimi për ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë të shtyhet.
Lidhur me këtë dhe kritikat e ndërkombëtarëve, sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se veprimi i fundit dëshmon se për të arritur një qëllim, s’mjafton vetëm të kesh të drejtë por edhe të kesh mbështetje.
“Veprimi i fundit i qeverisë së Kosovës lidhur me dinarin dëshmon edhe njëherë që për të arritur një qëllim nuk mjafton vetëm të kesh të drejtë por duhet edhe mbështetja e aleatëve”, vlerëson ai.
Sherifi shpreson që Qeveria të marrë mësim nga ky rast dhe të mos përsëritet, pasi mund të ketë pasoja të mëdha.
“Shpresoj që kjo qeveri të ketë marrë mësim nga ky rast dhe të mos përsëritë më gabimet që i ka bërë deri më tani në raport me aleatët! Përndryshe pasojat për vendin do të jenë të mëdha”, deklaron Bilall Sherifi nga Nisma./Gazeta Blic/


