Inspektori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Ilirjan Gavelli, u plagos me pistoletë në bark nga Qani Muça të premten në Tiranë.
Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati zbardhi dinamikën e ngjarjes së rëndë që ndodhi pas ekzekutimit të një vendimi të IMT ndaj banesës trekatëshe në pronësi të 55-vjeçarit Muça.
Ky i fundit, i cili sipas informacioneve dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur, nuk ka pranuar që IMT t’i shembë banesën.
Muça pretendonte se ishte në proces legalizimi dhe është konfliktuar me punonjësit e IMT që kishin shkuar të shembnin banesën si ndërtim pa leje.
Debati mes 55-vjeçarit dhe punonjësis ka degraduar deri në përplasje fizike dhe një moment 55-vjeçari ka përdorur një pistoletë me të cilën ka qëlluar në bark inspektorin 52-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur në mes të lagjes në zonë të populluar, çka ka rrezikuar edhe jetën e banorëve të tjerë. Një nga plumbat ka kapur dhe një automjet të parkuar aty pranë.


