Lajme

Plagoset në një shpërthim kryebashkiaku i vetëshpallur i Rusisë në Ukrainë

05/22/2022 16:31
nga:G B

Andrei Shevchuk, i cili u emërua kryebashkiak i Enerhodarit pas pushtimit të qytetit nga ushtria ruse, është plagosur në një shpërthim, raporton Sky News.

Kështu ka thënë një zyrtar ukrainas dhe një agjenci ruse e lajmeve, përcjell Gazeta Blic.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA, Shevchuk ndodhet në kujdes intensiv.

Dmytro Orlov, të cilin Ukraina e njeh si kryebashkiak të qytetit, e konfirmoi këtë në Telegram.

“Ne kemi konfirmim të saktë se gjatë shpërthimit u plagosën kreu i vetëshpallur i ‘administratës popullore’ Shevchuk dhe truprojat e tij”, shkroi ai.

Enerhodar kishte një popullsi prej 50,000 banorë para luftës dhe shumë banorë punonin në dy termocentralet aty pranë – një prej tyre është termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia, stacioni më i madh bërthamor në Evropë.

Nuk është e qartë se çfarë ishte përgjegjëse për shpërthimin që plagosi z. Shevchuk.