Lajme

Plagosen disa persona në një xhami në Kabul

04/06/2022 14:31
nga:Donika Fetahu

Të paktën gjashtë persona janë plagosur nga një shpërthim granate në një xhami në kryeqytetin afgan, Kabul, tha policia, disa minuta pasi besimtarët falën namazin e drekës.

Sulmet ndaj objektivave publike janë zvogëluar kryesisht që kur talibanët morën pushtetin në gusht të vitit të kaluar, por degët e ISIS-it vazhdojnë të operojnë në disa pjesë të vendit.

“Ne kishim mbaruar lutjet dhe po largoheshim nga xhamia kur ndodhi shpërthimi”, tha Mohammed Yasin për agjencinë e lajmeve AFP.

Zëdhënësi i policisë së Kabulit, Khalid Zadran, tha se një granatë u hodh në xhaminë Pul-e-Khisti dhe një i dyshuar u arrestua në vendngjarje. Xhamia ndodhet në një zonë me popullsi të dendur të Kabulit dhe është e rrethuar nga dyqane dhe tregje të ngarkuara.

Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë, por ai i Shtetit Islamik të Provincës Khorasan, së fundmi ka kryer sulme në Kabul dhe qytete të tjera.