Audio-inçizimet mes Shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së Mimoza Kusari-Lila dhe Sllavko Simiq të Listës Serbe ku përmendet Milan Radojiçiq, kanë trazuar skenën politike.
Nga opozita ka patur reagime të forta duke i akuzuar VV-në se po koordinohen me Listën Serbe dhe Milan Radojiçiq.
Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic” edhe deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani.
I pyetur se pritet të ketë një shkarkim të Mimoza Kusari-Lilës nga pozita e Shefes së Grupit Parlamentar pas publikimit të këtyre videove, ai u përgjigj kështu.
“Po presim qa po del edhe nesër se kanë më duket se kanë thënë se janë tri pjesë” tha shkurt Rrahmani për “Gazeta Blic”
Përveç opozitës, pas publikimit të këtyre audio-inçizimeve ka reaguar edhe kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi.
Arifi në reagimin e tij ka thënë se qeveria e Kosovës po koordinohet me bandat në veri përmes Listës Serbe por jo edhe me liderët e ‘Luginës së Preshevës’
“Nga përgjimet e fundit faktizohet se Qeveria Kurti koordinon dhe sinkronizon aktivitetet me bandat në Veri të Kosovës përmes Listës Serbe edhe me personin e shpallur Non-Grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Ndërkaq, me liderët e Luginës së Preshevës, kjo qeveri ka ndërprerë kontaktin e drejtpërdrejtë duke mirëpritur konspiracione dhe ngritur komplote antidemokratike nga këshilltari i izoluar i Kuvendit Komunal në Preshevë, kështu për të shkelur mbi vullnetin politik të shqiptarëve të Komunës së Preshevës, ku edhe rrezikohet destabilizimi i Luginës së Preshevës” thuhet në reagimin e Arifit raporton Gazeta Blic.
Për audio-inçizimet e publikuara ka reaguar edhe kryetari i Nisma-Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Limaj tha për “Gazeta Blic” se për të nuk është asgjë befasuese pasi njerzit në qeveri dhe Kuvend nuk janë as më pak e as më shumë sesa një grumbull hipokritësh, populistësh dhe mashtruesish.
“Nuk është asgjë befasuese, besoj që tanimë përditë ata e dëshmojnë kjo nomenklaturë politikë, që është një grumbull hipokritësh, mashtruesish, populista dhe këta dinë me bë më së miri këtë punë. Mos harroni kemi njerëz me dy karaktere, me dy fytyra, një publik, tjetrin privat. Po shohim shumë gjëra që kanë ndodhë dhe po ndodhin, janë thjesht ajo që faktikisht ka qenë e ditur dhe kjo është logjika e funksionimit të hipokritëve dhe populistave dhe servilëve, kështu që ata që e kanë paraqit para qytetarëve si patriot e njerëz me parime, besoj që kjo po ju bën juve përshtypje dhe të tjerëve, se si paska mundësi me ndodhë edhe kjo, besoj që kjo nuk është asgjë, me të tjerat që kanë me ardh në të gjitha drejtimet, janë duke treguar përditë, anise ende ka zëra e mendje indiferente, anise se ka njerëz që nuk duan ta pranojnë realitetin, po në fakt ata çdo ditë po na dëshmojnë atë që e kemi thënë fatkeqësisht ne kemi sjellë në krye të shtetit njerëz hipokrit e mashtrues, që po eksperimentojnë me atdheun e vendin tonë, me ndjenjat e këtyre njerëzve”, tha ai.
Në lidhje me bisedat e publikuara ka folur edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovës Jeff Hovenier.
Hovenier nuk ka pranuar të flasë shumë por ka theksuar se Radojiçiq është në Listën e Zezë të SHBA-ve.
“Nuk mund të flas shumë për këtë, liderët politikë në Parlament kanë komunikim me të gjitha palët. Por Radojiçiq ju e dini se është në listë të zezë të ShBA-ve”, tha ai raporton Gazeta Blic.
/Gazeta Blic/


